Botë

Ukrainë, Zelensky: Kemi çliruar 8000 kilometra

14.09.2022 11:45

Në kundërofensivën e sajë ushtria ukrainase ka vazhduar të çlirojë pjesë nga teritoret e okupuara nga forcat ruse...

Në një fjalim presidenti Volodymyr Zelensky tha se rreth 8,000 km katrorë janë çliruar nga forcat ukrainase deri më tani këtë muaj, të gjitha në rajonin verilindor të Kharkiv. Sipërfaqja totale e cituar nga Zelensky është afërsisht sa madhësia e ishullit grek të Kretës. Ukraina ka bërë përparim të rëndësishëm teksa i shtyn forcat ruse, por nuk është e mundur të thuhet nëse lufta është në një pikë kthese, ka deklaruar Presidenti i SHBA Joe Biden. 

Guvernatori rajonal i Kharkiv, ka deklaruar se autoritetet po regjistrojnë krimet e kryera nga rusët gjatë pushtimit të zonës nga ana e tyre. Moska mohon që forcat e saj të kenë kryer mizori në zonat që ata kanë kontrolluar që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi agresionin.

Ndërkohë, ekipet e riparimit kanë restauruar dy linjat kryesore të energjisë që furnizojnë qytetin Kharkiv dhe rrethinat e tij. Kievi ka frikë se Moska do të shtojë sulmet ndaj rrjeteve të saj energjetike me afrimin e dimrit dhe po kërkon teknologji kundërajrore nga Perëndimi për të mbrojtur infrastrukturën.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës bëri të ditur se forcat ruse kishin kryer tre sulme me raketa, 33 sulme ajrore dhe kishin gjuajtur me raketa artilerie në objektiva ushtarakë dhe civilë gjatë 24 orëve të fundit. Forcat ruse ende kontrollojnë rreth një të pestën e Ukrainës në jug dhe në lindje, por Kievi tani është në ofensivë në të dyja zonat.