Botë

ShBA, Rusia financoi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi

14.09.2022 12:07

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014...

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, presidenti rus, Vladimir Putin, është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Zyrtari që foli për media, tha se ky është përfundimi i një raporti të komunitetit amerikan të zbulimit, i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në vitin 2017, përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i Qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë.  Firma lobuese amerikane ka deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo ka marrë gjithsej tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.