Maqedoni

Kushtetuesja pa kuorum, vendimi për “e diela ditë jopune” u anulua

14.09.2022 14:26

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim për rastin që ka të bëjë me punën të dielën...

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim për rastin që ka të bëjë me punën të dielën, për shkak të shumicës së pamjaftueshme të votave. Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belovska, pas seancës në të cilën është paraqitur iniciativa nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, e cila konteston Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për marrëdhënie pune që në përmbajtjen e tij përfshin “punën të dielën”.

Belovska tha se ky është një tjetër nga 40 lëndët që nuk e kanë kaluar seancën për shkak të mungesës së kuorumit. Edhe një herë, për fat të keq, përmes një lënde kaq të rëndësishme për qytetarët u theksua nevoja për plotësimin e pozitave të gjykatësve.

“Në përmbledhjen e këtij rasti thuhej se nuk duhet të iniciohet asnjë procedurë, që do të thotë se Ligji duhet të mbetet në fuqi, gjegjësisht të dielën të mbetet ditë jopune, përveç aktiviteteve për të cilat ka përjashtim dhe të cilat parashikohen në këtë ligj. Ky rast nuk ka marrë shumicën e mjaftueshme dhe njëri nga gjyqtarët ka deklaruar se nuk do ta mbështes raportin.”,- tha zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belovska.

Për këtë lëndë gjykata do të diskutojë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ta kompletojë Gjykatën Kushtetuese me numër të mjaftueshëm të gjykatësve. Në iniciativë thuhet se ditë pushimi javor mund të jetë çdo ditë tjetër e javës, dhe të përcaktohet një shtesë pagese për punën të dielave në masën së paku 50 për qind për çdo orë të kaluar në punë dhe për këto arsye lejohet pabarazia e qytetarëve para ligjeve.

Gjithashtu sipas parashtruesit e nismës, pretendohet se me këtë zgjidhje ligjore, punëdhënësit nga aktivitetet ekonomike të cilëve u ndalohet puna të dielave dhe që kanë pozitë të barabartë juridike për sa i përket pagesës së taksës dhe detyrimeve të tjera publike ndaj shtetit, të përcaktuara me ligj, vendosen në një situatë të pabarabartë të pozitës ligjore me punëdhënësit nga aktivitetet ekonomike që lejohen të punojnë të dielave, në drejtim të krijimit të të ardhurave dhe fitimit.

GYLTENE SINANI