Maqedoni

Meta: Zbatoni MO-në, shqiptarët janë popullsi shtetformuese

20.01.2015 18:10

Tirana dhe Shkupi nuk ndajnë të njëjtin mendim për pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë...

Shqiptarët e Maqedonisë janë popullsi shtetformuese dhe faktor themeltar i fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, thotë kreu i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Mirëpo, nikoqiri i tij maqedonas, Trajko Veljanovski, nuk ndan këtë mendim. Sipas tij, Maqedonia është shoqëri multietnike, ndërsa zbatimi i MO-së nuk cenon shtetin unitar.
 
“Dua të theksoj se Shqipëria dhe populli shqiptar e shohin stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë si një gur shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e paqes dhe prosperitetit në mbarë rajonin tonë. Në këtë kontekst e shohim edhe popullsinë shqiptare shtetformuese si një faktor tejet të rëndësishëm dhe themeltar të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në shërbim të progresit dhe një të ardhme evropiane të Maqedonisë”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. 
 
“Ne jemi shoqëri multietnike, multikulturale dhe multikonfesionale. MO-ja dhe zbatimi i saj siguron respektimin dhe zhvillimin e të drejtave individuale dhe kolektive të bashkësive etnike, por nuk e cenon karakterin unitar të shtetit”- tha kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski.
 
Politikat nacionaliste dhe retorika folkloriste janë në dëm të qytetarëve dhe vendet që pretendojnë integrimin në Bashkimin Evropian, thotë Meta. Sipas tij, vendet përkatëse duhet të kenë si objektiv arritjen e standardeve të bashkëjetesës dhe të harmonisë.
 
"Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe jetësimi i saj integral janë domosdoshmëri, e cila forcon dhe afron dy vendet mes veti dhe i çon më pranë BE-së”- thekson Meta. 
 
“MO-ja dhe zbatimi i saj i plotë është një gur prove i vullnetit tonë evropian, një gur prove për paqen dhe harmoninë ndëretnike, mbi egoizmat nacional të cilët janë dëshmuar historikisht përtej retorikës dhe shkëlqimit folklorik aspak të leverdishëm dhe aspak inteligjent për realizimin e interesave të popujve tanë”- theksoi kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Kryeparlamentari shqiptar shprehu nevojën për ndarje proporcionale të buxhetit dhe zhvillim të barabartë ekonomik të vendit; bashkëpunim më të madh për realizmin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, siç është Korridori Tetë dhe “Rruga e Arbërit” dhe projekte të tjera për bashkëpunim ndërkufitar, për të cilat mund të shfrytëzohen IPA fondet. 
 
Meta theksoi mbështetjen e parezervë të Shqipërisë për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, integrimin e rajonit duke zhbërë kufijtë, ndërkaq u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. 
 
SHPËTIM NUREDINI