Refuzimi i nismës për referendum, VMRO: Xhaferi sajoi arsye të turbullta

14.09.2022 16:17

VMRO-DPMNE nuk pajtohet me arsyetimin e kryetarit të Kuvendit....

VMRO-DPMNE nuk pajtohet me arsyetimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, se nisma për referendum është në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas tyre, Xhaferi ka sajuar arsye të paqëndrueshme për të mbrojtur pushtetin nga një dëshmtim i mundshëm në referendum.      

“Sqarimi i Xhaferit me të cilin e refuzon referendumin është juridikisht i paqëndrueshëm, i paqartë dhe nuk ka bazë juridike. Mbrojtjen e Kovaçevskit nga debakli e ka bërë në shkelje të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës. Pyetja e VMRO DPMNE-së nuk ndryshon përmbajtjen e Marrëveshjes, por e konteston ligjin me të cilin ratifikohet marrëveshja bilaterale.”,- tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.

BDI: Nisma antikushtetuese dhe shkas për ndasi

Për dallim nga VMRO DPMNE, deputetët e shumicës parlamentare në një vijë me Xhaferin. Konsiderojnë se nisma ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, madje dyshojnë se VMRO DPMNE qëllimisht e ka propozuar në atë formë.

“Ne kemi dyshime se opozita e ka ideuar dhe dorëzuar qëllimisht iniciativën në mënyrë të paqëndrueshme juridike dhe ligjore për organizim e referendumit, I cili është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të vetmin qëllim që të refuzohet dhe në të njëjtën kohë të krijojë përçarje, ndasi dhe tensione midis qytetarëve.”,- u shpreh Arbër Ademi nga BDI.

LSDM: Nisma, tentim për manipulim dhe tensione

“Këtë e dinë edhe në VMRO DMNE prandaj dje citonin me gabim nenin 24  të Ligjit për referendum, i cili ka të bëjë me referendum konsultues dhe jo të detyrueshëm siç kërkojnë në nismën e tyre. Duket se Mickovski qëllimisht e ka ideuar dhe dorëzuar këtë nismë në formë juridike të paqëndrueshme në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë.”,- theksoi Martin Kostovski nga LSDM.

Edhe deputetët e Lëvizjes Besa janë kundër një referendumi, i cili mund të dëmtojë procesin integrues të vendit. “Përkrahëm propozimin francez dhe nuk ka asnjë ekuivok në këtë drejtim”, theksoi Fasdil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa. (Shpëtim Nuredini, TVM2)