Marrëveshja me Bullgarinë, mblidhet sërish komisioni historik

14.09.2022 17:08

Komisioni për Çështje Historike...

Komisioni për Çështje Historike ka vazhduar punimet në Shkup në kuadër të takimit të njëzetë me radhë. Para fillimit të bisedimeve, që u organizua në ndërtesën e MPJ-së, askush nuk u prononcua për media lidhur me temat që duhet t’i shtjellonin historianët e RMV-së dhe ata të Bullgarisë.

“Mirdita! Jo, jo s’ka!”,- tha bashkëkryesuesi i Komisionit nga pala bullgare, Angel Dimitrov.

Jozyrtarisht, historianët kanë shtruar në tavolinë procesverbalin e takimit paraprak, librat për klasën e shtatë të historisë, rrjedhimisht për shekullin X dhe XI, si dhe  debatin për figurën e Goce Dellçevit.

Komisioni  vazhdoi punën në përbërje të plotë me  përfshirjen e  anëtarin  të ri nga  pala maqedonase, profesorin e institutit të historisë, Dimitar  Llorovskin.

Në takimin e fundit të mbajtur me 15 gusht,  komisioni dha rekomandime për ndryshimin e librave të historisë për klasën e gjashtë, ndërsa për shtetin bullgar sugjeroi  të bëhen  ndryshime tekstuale në librin e klasës së pestë.

Po ashtu u rekomandua manifestim i përbashkët për figurat e Shën  Kirilit dhe Metodit, dhe për Shën Naum dhe Kliment Ohridskin.

Sipas bashkë-kryesuesit nga pala e RMV-së, Dragi Gjeorgjiev, në librat e historisë ndryshohen pjesët që provokojnë  raportet mes Shkupit dhe Sofjes. Komisioni i përzier historik vazhdon punimet  edhe  të enjten. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)