Çlirohen dy qytete ukrainase, gjenden varre masive dhe shkatërrime të mëdha
Në Ukrainën veri-lindore...

Në Ukrainën veri-lindore, luftimet për rikthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia vazhdojnë. Kundër-ofensiva ka filluar nga ushtria ukrainase për të dëbuar trupat ruse.
Në zonat e sapo çliruara, lehtësimi dhe pikëllimi janë të ndërthurura – ndërsa tregohen rrëfime për torturat dhe vrasjet gjatë muajve të pushtimit rus.
Këto janë banorët e qytetit Balakliya i cili ndodhet afër Kharkiv dhe u çlirua para disa ditësh.
Ky është Artemi, që u torturua me goditje elektrike nga rusët për më shumë se 40 ditë, vetëm pse rusët gjetën një foto të vëllait të tij me uniform ushtarake.
“Më detyruan të mbaja dy tela të lidhur me një gjenerator elektrik, sa më shpejt ta rrotullosh sustën, aq më i lartë është voltazhi. Ata vazhduan ta rrotullonin dhe të më bënin pyetje, kur unë jepja përgjigje, ata më thoshin se po gënjeja,kështu që e bënë më shumë. E njëjta gjë ndodhte çdo ditë edhe me të burgosurit tjerë.”,- tha banori i Balakliya i torturuar nga trupat ruse ARTEM.
Traumat psikologjike më shumë i ndjejnë fëmijët.
"Vajza ime e vogël ishte shumë e frikësuar, histerike, vetëm bërtiste dhe nuk mund të flinte gjatë natës siç duhet, por ne u kujdesëm për të, sa më mirë që mundëm.",- theksoi një banor i Balakliya.
“Shtëpitë janë shkatërruar. Fëmijët nuk kanë ku të studiojnë. Ne ishim nën sundimin e Rusisë. Unë isha i detyruar të punoj në ushtrinë e Moskës. Kam punuar atje. Motra ime është atje dhe nuk mund ta vizitoj. Nuk e di nëse ajo është e vdekur apo e gjallë.”,- u shpreh një banor i Balakliya.
Ushtria ukrainase zhvarros të vrarët, për ti rivarrosur me ceremoni motrore. Në mesin e viktimave është edhe Petro Valentyna.
"Dua të pyes Putinin pse vrau e djalin tim. Për çfarë? Ai nuk po vret vetëm fëmijët tanë. Ai po na vret edhe neve nënat. Unë po vdes dhe po u flas të gjitha nënave të botës. Rebelohuni kundër atij vrasësi.",- deklaroi nëna e Petro Valentyna.
Izumi, është një tjetër qytet ukrainas i cili u çlirua ,pasi Rusia e kishte pushtuar për gjashtë muaj. Edhe këtu, shkatërrimet dhe torturat ruse mbi banorët vendas janë të mëdha.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar qytetin e çliruar të Iziumit.
“Pamja është shumë tronditëse, por nuk është tronditëse për mua, sepse pamje të njëjta kemi parë edhe në Bucha, gjithashtu dhe në territoret tjera të de-okupuara, pra të njëjtat ndërtesa të shkatërruara dhe njerëz të vrarë. Kur trupat ukrainase rimorën Buchan, ata zbuluan një mori krimesh lufte – varre masive dhe trupa civilësh, shumë prej të cilëve kishin shenja torture. E njëjta gjë është edhe në Izum.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Zelensky tha se autoritetet ukrainase tani duhet të bëjnë një bilanc të dëmeve për të kuptuar situatën gjatë kohës kur trupat ruse kishin nën kontroll qytetin prej rreth 46,000 banorësh. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
