Sulmi ndaj kryetarit të Haraçinës, MPB njoftoi për tre persona të arrestuar

14.09.2022 19:48

Policia ka arrestuar tre persona....

Policia ka arrestuar tre persona për sulmin fizik ndaj kryetarit të komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi.

Zyrtarët policorë të Njësisë për Krime të Dhunshme në SPB Shkup kanë ndaluar ish kryetarin e komunës Brahim Ajvazi si dhe personat me iniciale R.A. dhe B.A. pas një raportimi të mëparshëm nga personi me iniciale R.I. se është sulmuar fizikisht nga ata në zyrën e tij në komunën e Haraçinës.

Është njoftuar prokurori publik dhe në koordinim me Prokurorinë Publike të Shkupit, pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, kundër tyre do të bëhet kallëzim penal për veprën penale “Dhunë” nga neni 386 i Kodit Penal thuhet ne njoftimin e MPB-së.

Rreth incidentit është prononcuar edhe vetë Ibraimi nëpermjet rrjetit social facebook.

Sulmi ndaj kryetarit të Haraçinës, familja Ajvazi përgënjeshtron pohimet

Në ndërkohë familja Ajvazi nga Haraçina ka përgënjeshtruar pohimet për sulmin ndaj kreut të Haraçinës, dhe informatat e tilla i cilëson si të rreme.

Nga kjo familje gjithashtu hedhin poshtë informacionet se janë anëtarët e kësaj familjeje që prishin rendin dhe qetësinë publike, duke drejtuar gishtin diku tjetër. Familja Ajvazi thotë se si degë dhe anëtarsia më e gjerë kanë kërkuar  nga kreu i komunës që drejtori i shkollës i cili është emëruar në vitin 2018 në SH.F “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Haraçinë të zëvendësohet me kuadër të BDI-së.