Maqedoni
Veteranët kërkojnë më shumë punësime për ish-pjesëtarët e UÇK-së
20.01.2015 18:21
Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sot në Selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël i kanë dorëzuar kreut të BDI-së, Ali Ahmetit...

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sot në Selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël i kanë dorëzuar kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, një listë me emrat e ushtarëve që kontribuuan në luftën e vitit 2001.
Ata thonë se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të UÇK-së ka ngelur pa punë dhe se në vend të tyre janë punësuar njerëz të tjerë.
Ata theksuan se në qoftë se nuk do të ketë zgjidhje për ta, atëherë revolta e tyre do të marrë përmasa tjera.
“Numri i atyre që kanë mbetur pa punë nuk është i vogël, është shumë i madh. Në vendin tonë janë punësuar njerëz të tjerë përmes lidhjeve dhe kanaleve partiake, farefisnore, ndoshta edhe mito dikush ka dhënë. Ka institucione që duhet ta hulumtojnë, por e vërteta është se ne kemi ngelur rrugëve, jemi t’u bredh pa punë, shokët tanë kanë ikur nga Maqedonia për në vendet perëndimore, për të kërkuar qare dhe ne jemi sot këtu ku jemi. Iniciativa jonë ka qenë për Kumanovë dhe Likovë, në rast se tjerët kanë të njëjtin problem, besoj kanë, duhet të na bashkëngjiten. Unë mendoj se nuk do të vijë deri aty me marrë përmasa më të mëdha. Këta e dinë se është bërë padrejtësi, lëshime, duhet që t`i përmirësojnë këto gjëra dhe ta zgjidhin sa më shpejtë problemin. Nëse vazhdojnë kështu, kam bindjen se do të ketë përmasa më të mëdha dhe është vështirë ta kontrollojmë situatën”- deklaroi veterani i luftës, Fejzullah Arifi.
Ish-ushtarët e UÇK-së kanë apeluar deri tek veteranët e tjerë, të cilët e kanë fatin e njëjtë, që t’u bashkëngjiten atyre.
Veteranët presin që gjatë këtyre ditëve kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, t’i presë në takim ata, se ndryshe nuk do të heqin dorë nga kërkesat që kanë.
MIFTAR EMINI
