Kuvendi i Serbisë miratoi Raportin për Dialogun me Kosovën
Kuvendi i Serbisë miratoi raportin për dialogun me Kosovën të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes' në Prishtinë”...

Kuvendi i Serbisë miratoi raportin për dialogun me Kosovën të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes' në Prishtinë”, për të cilin votuan 205 deputetë, ndërsa kundër ishin 57.
“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.
Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë. Gjatë prezantimeve të tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit. Zyrtari i kësaj partie, Borko Stefanoviq, u tha gazetarëve se raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia. Pritet reagimi i autoriteteve të Republikës së Kosovës.
