Maqedoni
Ilir Meta shëtiti në Çarshinë e Shkupit
20.01.2015 18:26
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mirëpriti kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Metën, të cilin e njoftoi me Çarshinë e Vjetër në Shkup...

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mirëpriti kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Metën, të cilin e njoftoi me Çarshinë e Vjetër në Shkup, gjallërimin e saj, si dhe me projektin për ndërtimin e sheshit “Skënderbej”.
“Shfrytëzova rastin për ta njoftuar për rrjedhat në Shkupin e vjetër, për ta informuar për projektet që zhvillohen këtu, sidomos me theks të veçantë për arsimin, kulturën në Çarshinë e Vjetër, në Çair, për universitetet që janë koncentruar këtu, për studentët që janë një avangardë dhe po e ringjallin këtë pjesë të Shkupit, që është pjesa më ekskluzive turistike e Shkupit”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të intensifikohet edhe më tej, u shpreh Meta, duke shtuar se theks i veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit në fushën e kulturës.
“Unë besoj se me këto eksperienca shumë të mira, të fituara deri tani kemi siguruar themele të qëndrueshme, për të pasur një agjendë edhe më dinamike në të ardhmen, sidomos në fushën e kulturës, pasi që kultura është lidhja më e fuqishme që bashkon njerëzit, që bashkon popujt dhe e shoh se interesi për këtë vjen duke u rritur”- tha kryetari i Kuvendit Të Shqipërisë, Ilir Meta.
Sipas Metës, bashkëpunimi i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në interes të popujve nga të dyja vendet.
ERSAN PAJAZITI
