ASH, Aliti: Unifikimi, i vështirë me kryetarin e ri
Me rikonstruimin e organeve të partisë....

Me rikonstruimin e organeve të partisë dhe kryetarin e ri, unifikimi i ASH-së do të jetë i vështirë, vlerëson analisti politik, Faton Aliti. Sipas tij kjo do të shtrihet edhe në zbatimin e politikave të shëndosha dhe përkrahjen ndërkombëtare.
Konstatimi i tillë bazohet në ndasitë e deritanishme të cilat nuk janë tejkaluar për përzgjedhjen e figurës së re në krye të partisë që do të mbështetej nga të gjithë.
“Pritshmëritë e anëtarësisë janë se me ristrukturim të organeve ata do të risin edhe përkrahjen. Por mendoj se kjo do të jetë e vështirë për këdo që të vij në krye të partisë duke patur parasysh se si erdhi deri te kjo situatë, e kam fjalën për rezultatin shumë të dobët në zgjedhjet lokale në Tetovë, i cili me gjitha gjasat ndodhi si pasojë e bojkotit të brendshëm të anëtarësisë dhe të strukturës së degës. Dhe kjo lehtësisht tani mund të shkaktojë revoltë, mosangazhim, bojkot të pjesës e cila dëshironte zotri Selën në krye të partisë, në rradh të parë Struga, por edhe Dibra, pjesë të degës të Tetovës, nuk besoj se të gjithë janë të një mendësie.” – tha analisti politik, Faton Aliti.
Një moment tjetër që do të rëndojë përçarjen, është bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në, thotë Aliti, e cila është një parti albanofobe që prodhon politika diskutabile kundrejt anëatrësimit në BE,
“Nëqoftëse ata e shohin si opsion të vetëm ardhjen në pushtet nëpërmjet koalicionimit, pse jo ndoshta edhe parazgjedhor, nuk jam kundër dhe nuk them se nuk duhet ndodhur por ndodhin në bazë të ideologjive dhe në bazë të kahjes politike, duke pasur parasysh kahjen integruese në BE. Në qoftëse VMRO dukshëm po bën tanimë me referendumin, më herët edhe me të tjerat dhe fjalorin që përdorin, në qoftëse kjo është e dukshme, se është diskutabile dhe të them edhe e papranueshme për procesin integrues tonin.” – u shpreh Aliti.
Bashkëpunimi i tillë sipas Alitit s’do sjellë sukses përpos grumbullim të më shumë votave klienteliste se sa votave me ideologji të inetresit më të gjerë. (Meral Ismaili, TVM2)
