LSDM: Grindja për para në Qytetin e Shkupit tregoi fytyrën e vërtetë të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së
Grindjet për para në Qytetin e Shkupit...

Grindjet për para në Qytetin e Shkupit janë në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe tregoi fytyrën e vërtetë të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, thonë nga LSDM.
“Grindjet në qytetin e Shkupit, për para, interesa biznesi dhe tender në vlerë prej 136 milionë euro, janë në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe tregojnë fytyrën e vërtetë të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Siç ka shpjeguar edhe vetë Mickoski, ose ‘kryetari thumbues’ siç e quajnë ithtarët e tij, për ta politika është vetëm interes personal dhe jo interes i shkupjanëve. Qyteti i Shkupit ka qëndruar në vend për një vit. Projektet kyçe për qytetarët kanë ngecur, me sa duket për shkak të interesave afariste të strukturave në VMRO-DPMNE” – tha koordinatorja e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva.
VMRO-DPMNE, fytyra e re e LSDM-së është Arsovska
Por nga VMRO DPMNE reagojnë se fytyra e re e LSDM-së, është Danella Arsovska. Ajo është lidere e koalicionit të sapoformuar ku sipas tyre, janë mbledhur të shantazhuar nga pushteti.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, tha se kjo është arsyeja pse LSDM po përpiqet të mbrojë Arsovskën dhe përfshirjen e saj, siç citohet: “në keqpërdorime me impiantin e trajtimit dhe lidhjet e drejtpërdrejta me kompaninë turke për të cilën e di paraprakisht se çfarë oferte ka bërë”.
“Qëllimi dhe shpresa e vetme e këtij pushteti anti-maqedonas janë tenderët, kleptomania dhe elementet е shantazhit që duhet të merren me opozitën në vend që të merren me problemet e qytetarëve dhe të Maqedonisë” – u shpreh Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Përplasjet mes VMRO-së e Arsovskës filluan pasi kjo e fundit shkarkoi drejtorin e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” dhe sekretarin e përgjithshëm të Qytetit. Pas këtij vendimi të Arsovskës, kuadrot e VMRO-DPMNE-së dhanë dorëheqje nga postet udhëheqëse nëpër ndërmarrjet publike që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, me arsyetimin se gjatë kryerjes së detyrave të tyre ka munguar koordinimi me kryetaren Arsovska. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
