Lufta në Ukrainë, është gjetur një varr masiv në Izjum, Zelenski: Ka prova të qarta të torturës

17.09.2022 19:56

Autoritetet në Kiev...

Autoritetet në Kiev pretendojnë se kanë zbuluar një varr të ri masiv në verilindje të vendit në rajonin e Kharkivit, i cili është kthyer nën kontrollin e tyre. Më shumë se 440 trupa u gjetën në një varr masiv në qytetin Izjum. Sipas presidentit Zelenski, bëhet fjalë për familje të tëra.

“Vazhdon zhvarrimi i trupave nga varreza masive në afërsi të Izjumit. Është herët të flitet për numrin e personave të varrosur aty, hetimet janë në vazhdim. Tashmë ka prova të qarta të torturës, trajtimit poshtërues të njerëzve. Ekzistojnë gjithashtu dëshmi se ushtarët rusë, pozicionet e të cilëve ishin jo shumë larg këtij vendi, qëlluan mbi të varrosurit vetëm për argëtim. Bota duhet të reagojë ndaj gjithë kësaj. “Rusia në Izjum e përsërit atë që bëri në Buça” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Komisioneri për të drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas deklaroi se më shumë se një mijë njerëz u torturuan dhe u vranë në disa pjesë të rajonit të Kharkivit. Rusia akoma pa koment.

Putin: Kievi dëshiron që luftimet të vazhdojnë

Vladimir Putin përgjigjet se ai dëshiron që lufta të përfundojë, por se Kievi dëshiron që luftimet të vazhdojnë. Ai theksoi se pavarësisht përpjekjeve të presidentit turk, Zelenski refuzon negociatat për paqe.

“Autoritetet në Kiev kanë njoftuar se po kryejnë një operacion aktiv kundërsulmues. Epo, le të shohim se si do të  zhvillohet dhe si do të përfundon. Plani i operacionit special ushtarak rus nuk është subjekt i ndryshimit. Shtabi i Përgjithshëm merr vendime operacionale gjatë operacionit dhe qëllimi kryesor është çlirimi i të gjithë territorit të Donbasit. Ai vazhdon pavarësisht përpjekjeve të ushtrisë ukrainase për një kundërofensivë” – u shpreh Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Ai akuzoi Perëndimin se dëshironte të copëtonte Rusinë, duke shtuar se kishte dërguar trupa në Ukrainë për ta parandaluar këtë.

NATO në një konferencë vjetore në Estoni

Ndërkohë NATO në konferencën e saj vjetore në Talin të Estonisë, thotë se do të mbështesin forcat ukrainase.

“Aleatët e NATO-s do të mbështesin forcat ushtarake ukrainase për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Dimri po vjen, por mbështetja jonë do të mbetet e palëkundur" – deklaroi KryetarI i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer.

Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, tha se Putini do të duhet të përgjigjet në gjykatë për krimet në Ukrainë. (Sedat Selimi, TVM2)