Ukrainë, R. Çeke kërkon gjyq special për varret në Izjum
Republika Çeke, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian....

Republika Çeke, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian, po kërkon krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për vrasjet dhe torturat në Ukrainë, pas zbulimit të një varri masiv në Izjum, një qytet i çliruar së fundmi në Ukrainën verilindore.
“Këtu mbanin robër lufte, civilë dhe merrnin në pyetje ata që punonin për administratën lokale ose policinë ose nëse dikush merrte pjesë në operacione ushtarake” – tha Komandanti i Gardës Kombëtare.
Në varre u gjetën edhe fëmijë, sipas guvernatorit të rajonit të Kharkovit, 99% e trupave tregonin shenja të vdekjes së dhunshme.
Disa viktima vdiqën në sulmet ajrore. Një varr masiv u gjet edhe në Buça.
Zelenski: Rusët do të mbajnë përgjegjësi në Gjykatë
Presidenti Zelensky akuzoi forcat ruse për torturimin e popullsisë së Kharkovit.
“Ashtu si nazistët, rusët do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Janë gjetur prova të reja të torturës mbi njerëzit e varrosur. Më shumë se 10 dhoma torture u gjetën në zonat e çliruara të rajonit të Kharkovit në qytete dhe vendbanime të ndryshme” – deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, banorët po kthehen ngadalë në pjesë të Kharkovit pas kundërofensivës së Ukrainës.
“Qyteti është bërë më i qetë, sepse rusët sulmojnë më pak, tani mund të fle më mirë” – tha një qytetare e Kharkovit.
“Kharkovi ka ndryshuar. Treni i kthimit ishte i mbushur me të rinj që ktheheshin në shtëpi” – tha një qytetarë i Kharkovit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka njoftuar se centrali bërthamor i Ukrainës në Zaporozhye po merr sërish energji elektrike nga rrjeti kombëtar.
