Maqedoni

Riformatim i qeverisë, dorëhiqet Milevski, ministër i vetëqeverisjes lokale

19.09.2022 15:29

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski dorëhiqet nga posti për arsye personale...

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski dorëhiqet nga posti për arsye personale. Dorëheqjen do ta deponojë të martën në qeveri. Milevski, njëherësh edhe kryetar i PLD-së thotë se pasuesi i tij duhet të jetë nga rradhët e partisë së tij.
 
“Pas tri vitesh të punës si ministër i Vetëqeverisjes Lokale, mendoj se është koha për ndryshime dhe në këtë pozitë të vijë një staf tjetër”, është shprehur Milevski.
 
Milevski pas dorëhqejes në ekzekutiv pritet të heq dorë edhe nga drejtimi i partisë. Jozyrtarisht thuhet se deputetja Monika Zajkova do ta drejtojë partinë, por edhe dikasterin e vetqeverisjes lokale. Zajkova është shprehur e gatshme që të vij në krye të PLD - së, por jo edhe të ministrisë.
 
“Asgjë nuk është zyrtare. Nëse anëtarësia merr vendim, unë me shumë kënaqësi do ta pasoja Milevskin në krye të partisë, pasi kam vizion dhe program. Ndërkohë nuk kam kurfarë ambiciesh të zë karrigen ministrore”, është shprehur Zajkova.
 
Lëkundjet në ekzekutiv thuhet të zgjerohen me ndërimin e ministrave të shëndetësisë Bekim Sali, ministrit të shoqërisë informatike dhe administratës Admirim Aliti që të dy kuadër të Alternativës si dhe ministrin e transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski. Mini riformatimi i qeverisë është përgënjeshtruar si nga vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski, por edhe nga Alternativa të cilët thotë se për momentin qeveria po funksionin normalisht dhe s’ka nevojë për riformatime.
 
MERALE ISMAILI