Energjia nga Bullgaria, Bekteshi: Vetëm me çmimin e ngrirë nga BE

19.09.2022 15:49

Shteti nuk do të pranojë çmim më të lartë të energjisë elektrike....

Shteti nuk do të pranojë çmim më të lartë të energjisë elektrike nga Bullgaria se ai me të cilin Bashkimi Evropian planifikon të ngrijë çmimin.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se vendi do të bëjë marrëveshje me Bullgarinë dhe vendet e tjera për çmimin e energjisë elektrike që nuk do të dëmtojë qytetarët.

“Kush është ai që paguan energji elektrike më të lartë se sa ajo që BE planifikon të ngrijë. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe kemi dëgjuar se BE planifikon të ngrijë çmimin e energjisë elektrike në 180 euro për megavat orë. Bullgaria është një vend anëtar i Unionit dhe duhet ta respektojë këtë vendim” – tha Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

E për të kërkuar shfrytëzim racional të energjisë elektrike, Bekteshi takoi kryetarin e BFI-së, Shaqir Fetahu.

Fetahu: Do të kursejnë edhe xhamitë

Nga ana e BFI-së thanë se do të kenë kujdes për shfrytëzim racional të energjisë elektrike. Kreu i BFI-së Shaqiri tha se edhe ashtu xhamitë nuk harxhojnë shumë energji elektrike, për faktin se faturat paguhen nga ana e vet besimtarëve.

Sqaroi se gjatë këtij dimri do të jenë edhe më të kujdesshëm sa i përket shfrytëzimit të energjisë elektrike.

“Ne nëpër xhamitë tona dukle e ditur se harxhohet ndo njëherë rrymë e madhe, ne shkojmë vetëm aty ku ka nevojë, vetëm një pjesë e xhamisë ngrohet dhe atë e bëjmë në mënyrë automatike që të ndizet pesë minuta para kryerjes së lutjes deri dhjetë minuta pas kryerjes së lutjes, domethënë kur do ta organizojmë si duhet as një orë nuk do të harxhohet energji elektrike nëpër objektet fetare” – deklaroi Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.

Fetahu tha se gjithashtu nëpërmjet ligjeratave fetare nëpër xhami do tu apelohet qytetarëve që të harxhojne sa më pak rrymë, për shkak se sipas tij, kursimi i energjisë elktrike përveç obligimit shoqëror është edhe obligim fetar. (Ersan Pajaziti, TVM2)