Tiranë, KQZ analizon financimin e PD-së
Të dhënat e raportit të inteligjencës amerikane....

Të dhënat e raportit të inteligjencës amerikane se Rusia ka financuar në mesin e 24 shteteve edhe Partinë Demokratike me 500 mijë dollarë në 2017-ën, vunë në lëvizje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi artikuloi publikisht nevojën që ngriti pas takimit me kryediplomaten Yuri Kim dhe përfaqësues të partive, se ligji për financimet politike do të ndryshojë.
KQZ propozon që çdo burim financiar i partive të bëhet në një sistem online, i aksesueshëm për publikun.
“Aktualisht raportimi i partive politike bëhet në forma letër, jo në formë digjitale. Ndryshimet duan kohë, buxhet e vullnet. Ne aktualisht harxhojmë shumë kohë për analizimin e të dhënave që vijnë në formë raportimi me letër dhe shpesh pa arritur të kuptojmë siç duhet atë çka ndodhur. Sistemi duhet të ofrojë mundësi të aksesohet e lexohet qartë raporti dhe të dhënat e tij” – tha Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Duke mos e konsideruar vendin imun ndaj influencave ruse, mazhoranca e përkrah ndërhyrjen në ligj.
“Nuk mbaj mend sa herë kam dalë dhe kam folur për dyshimet e një skeme financimi të PD nga një kompani guaskë. Gjithë këto vite kam kërkuar marrjen e masave, pra ndërhyrjet ligjore në kuadrin ligjor që ka të bëjë qoftë me ligjin për financimit të partive politike, qoftë më kodin zgjedhor për pjesën e financimit të fushatave zgjedhore. Duhet më shumë transparencë në çështjen e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore” – u shpreh Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Sipas ligjit aktual, partitë politike raportojnë në KQZ, raportohet me të dhënat për burimet financiare, si dhe për shpenzimet e tyre. (Luljeta Ndoka, TVM2)
