Asambleja e OKB-së, lufta në Ukrainë në krye të agjendës
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nis të martën punimet teksa bota përballet me kriza të shumta...

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nis punimet teksa bota përballet me kriza të shumta, duke nisur nga lufta në Ukrainë. Pas dy vjetëve të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe adresimeve përmes videove, OKB-ja u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin pjesë fizikisht në organizimin në Nju Jork.
Përjashtim bën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën. Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian.
“Këtë herë, Ukraina do të jetë shumë lart në agjendë. Do të jetë e pashmangshme”, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në Nju Jork. “Ka shumë probleme tjera, e dimë. Mirëpo lufta në Ukrainë ka dërguar valë shoku në gjithë botën”.
