Maqedoni

Anketë e Konrad Adenauer, rritet euroskepticizmi në RMV

20.09.2022 13:24

Euroskepticizmi në Maqedoni po shënon rritje....

Euroskepticizmi në Maqedoni po shënon rritje. Sipas një ankete të Fondacionit Konrad Adenauer për anëtarësimin e Maqedonisë në BE votuan 63,8 për qind. Sipas Fondacionit Konrad Adenauer, kjo përqindje, edhe pse ende shumë e lartë, tregon tendenca të qarta negative në raport me dy dekadat e para të pavarësisë. 
 
Sa i përket propozimit francez anketat e mëparshme treguan një qëndrim negativ prej mbi 70%, ndërsa sipas kësaj ankete 57,1% e qytetarëve deklaruan se janë kundër “propozimit francez”, i cili ishte parakusht për heqjen e vetos së Bullgarisë dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, kundrejt 27,2% që e pranojnë, që është dallim prej rreth 30 për qind në favor të kundërshtarëve të këtij dokumenti. Më shumë se gjysma e të anketuarve janë europesimistë, ndërsa gati 30% e të anketuarve besojnë se Maqedonia nuk do të bëhet kurrë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.
 
Në pyetjen se kur mendojnë se Maqedonia do të hyjë në BE, 28% e të anketuarve janë përgjigjur se kjo nuk do të ndodhë kurrë, që është grupi më i madh, ndërsa 23,7% janë shprehur pesimist me përgjigjen se nuk e dinë se kur do të ndodhë. Poashtu më shumë se një e treta e qytetarëve të anketuar besojnë se Serbia është aleati më i madh i vendit, ndërsa Bullgarinë e konsiderojnë armikun e tyre më të madh. 52,5% e të anketuarve besojnë se kemi marrëdhënie të këqija bilaterale Me Bullgarinë.
 
Në pyetjen se cili shtet është armiku më i madh i Maqedonisë, 44% e të anketuarve janë përgjigjur se është Bullgaria. Pothuajse dy të tretat ose 65,7 për qind e mbështesin projektin “Ballkani i Hapur”, ndërsa 15 për qind nuk e mbështesin atë, që do të thotë se 50,7 përqindje më shumë mbështesin këtë formë të bashkëpunimit më të ngushtë mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Anketa e Fondacionit të Konrad Adenauer u realizua në gusht të këtij viti me njëmijë e 111 të anketuar, ndërsa u botua në publikimin "30 vjet politikë e jashtme dhe mbrojtje".