Maqedoni
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, tensionohet debati për kandidatin Joveski
20.09.2022 14:33
Pushteti dhe opozita vazhdojnë me akuza të ndërsjella për shkelje të procedurës dhe pengim të punës së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime....

Pushteti dhe opozita vazhdojnë me akuza të ndërsjella për shkelje të procedurës dhe pengim të punës së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Sipas kryetares, Marija Georgievska, opozita me vetëdije dhe qëllimisht po e bllokon zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Sjellja nervoze dhe vulgare e deputetëve të VMRO-DPMNE-së është në dëm të sistemit gjyqësor në vend thotë Georgievska teksa shprehet kategorike se kjo nuk do të lejohet dhe se do të zbatohen të gjithë mekanizmat demokratikë për kompletimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të lëmë hapësirë të shohim se si do të sillemi të gjithë si deputetë në këtë kuvend. Unë sinqerisht shpresoj që arsyeja të mbizotërojë dhe të gjithë të kuptojnë vërtet se për çfarë bëhet fjalë dhe se duhet të tregojmë seriozitet dhe përgjegjësi ekstreme në këtë kuvend. Politikat duhet të lihen mënjanë.”,- tha kryetarja e Komisionit, Marija Georgievska.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë kryetaren e komisionit për shkelje të rregullores, arbitraritet dhe standarde të dyfishta. Ata insistojnë që kolegia e tyre Elizabeta Stamenkovska Trajkovska të vazhdojë me fjalimin e saj, sepse siç tha Stojanovska ajo nuk ka përfunduar me fjalimin.
“Natyrisht se më shumë i shqetëson ajo që po flitet për këtë temë sepse kolegia Beti Stamenkovska në fjalimin e saj përsëriti mbi 200 krime dhe skandale, ato janë shpalosur, por fatkeqësisht kandidati të cilin ky pushtet dëshiron ta shpërblejë me pozitën e gjyqtarit kushtetues nuk ka reaguar.”,- u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Për diskutim janë paraqitur edhe 20 deputetë të VMRO-DPMNE-së. Ata janë kundër zgjedhjes së prokurorit aktual të Republikës Joveski për gjyqtar kushtetues. Deri më tani dritën jeshile kanë marrë Tatjana Vasiç Bozadzieva dhe Fatmir Skender.
NAIM RAMADANI
