Maqedoni

Anketa e Fondacionit “Konrad Adenauer”, rritet euro-skepticizmi në RMV

20.09.2022 14:54

Euroskepticizmi në Maqedoni po shënon rritje, teksa shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut...

Euroskepticizmi në Maqedoni po shënon rritje, teksa shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë kundër propozimit francez që hap rrugën e bisedimeve me BE-në. Këtë e tregojnë të dhënat e anketës së zbatuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”. 
 
“Sa i përket propozimit francez sipas kësaj ankete 57.1% e qytetarëve deklaruan se janë kundër “propozimit francez”, i cili ishte parakusht për heqjen e vetos së Bullgarisë dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, kundrejt 27.2% që e pranojnë, që është dallim prej rreth 30 për qind në favor të kundërshtarëve të këtij dokumenti.” 
 
Më shumë se gjysma e të anketuarve janë europesimistë, ndërsa gati 30% e të anketuarve besojnë se Maqedonia nuk do të bëhet kurrë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. 
 
“Përqindja e qytetarëve që janë pro BE-së është ende e lartë, por krahasuar me vitet e kaluara, fondacioni vëren se mbështetja është në rënie. Pra, 48.4% e të anketuarve janë "për" dhe 14.4% janë deri diku për anëtarësim në union. Por në pyetjen se kur do të ndodhë kjo, shumica e të anketuarve - 28%, deklaruan se Maqedonia nuk do të bëhet kurrë anëtare, ndërsa 23,7% nuk e dinë se kur do të përfundojë procesi.”
 
Po ashtu më shumë se një e treta e qytetarëve të anketuar besojnë se Serbia është aleati më i madh i vendit, ndërsa Bullgarinë e konsiderojnë armikun e tyre më të madh. Në pyetjen se cili shtet është armiku më i madh i Maqedonisë, 44% e të anketuarve janë përgjigjur se është Bullgaria. Pothuajse dy të tretat ose 65,7 për qind e mbështesin projektin “Ballkani i Hapur”, ndërsa 15 për qind nuk e mbështesin atë.  Anketa e Fondacionit të “Konrad Adenauer” u realizua në gusht të këtij viti me njëmijë e 111 të anketuar, ndërsa u botua në publikimin "30 vjet politikë e jashtme dhe mbrojtje". 
 
ERSAN PAJAZITI