Maqedoni

“Beteja” mes Arsovskës dhe VMRO-së, Arsovska: Jam përball një makinerie

20.09.2022 15:26

Thellohet hendeku mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, dhe VMRO-DPMNE-së...

Thellohet hendeku mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, dhe VMRO-DPMNE-së, partia që e promovoi si kandidate të pavarur e që e përkrahu në zgjedhjet lokalet. Arasovska thotë se po përballet me një makineri të tërë të orientuar kundër saj, por nuk frikësohet, pasi siç tha, ka më shumë miq sesa armiq. Sa i përket shkarkimeve dhe dorëheqjeve të drejtorëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, tha se punën e tyre do ta shqyrtojë kontrolli i shtetit.
 
“Në muajt e shkuar ndodhën shumë gjëra. E di se përballem me një makineri dhe njerëz që për momentin nuk u bëhet qejfi që po zbardhet çdo gjë që ndoshta donin t’ia veshin dikujt tjetër. Sa më përket mua, unë vetë nuk frikohem.”,- deklaroi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
VMRO: Punon për të tjerë pasi është e shantazhuar
 
Sipas VMRO DPMNE-së, Arsovska ka ndërruar krah. E pyesin nëse është e detyruar të punojë për LSDM-në, që të shpëtojë nga përndjekja penale. 
 
“U dëshmuan motivet e vërteta të Arsovskës. Takimet e fshehta me dezertuesin Kovaçevski dhe Zeçeviçin kanë efekt. Ata e paguajnë bilbordet nëpër Shkup për propagandë politike. Arsovska në vend  që të punojë po merret me politikë ditore dhe punon për dikë tjetër pasi është e shantazhuar.”,- thonë nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Në VMRO kulminuan skandalet korruptive
 
LSDM nga ana tjetër konsideron se VMRO DPMNE-në dhe zyrtarët e saj nuk po reformohen. Kërkojnë sqarim nga Mickovski për tenderin rreth 136 milionë euro për stacionin e filtrimit. 
 
“Kjo është fytyra e vërtetë e Hristijan Mickovskit dhe e kësaj partie të vjetër dhe të pareformuar. Kulminuan fërkimet e brendshme dhe skandalet korruptive në vlerë mbi 136 milionë euro.”,- deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.
 
Përplasja mes kryetares së Qytetit të Shkupit dhe VMRO-DPMNE-së rezultuan me shkarkime dhe dorëheqje të disa drejtorëve të ndërmarrjeve publike në kompetencë të Arsovskës.     
 
SHPËTIM NUREDINI