Rajone ukrainase kërkojnë referendum, Putin: Sanksionet e BE prekin vendet e varfra
Autoritetet e instaluara nga Rusia të rajonit Kherson kanë...

Autoritetet e instaluara nga Rusia të rajonit Kherson kanë vendosur të mbajnë referendum për pranimin e rajonit në Federatën Ruse, tha kreu i administratës ushtarako-civile të Khersonit, në një video të postuar në kanalin e tij.
“Pothuajse çdo ditë marr thirrje nga organizata publike dhe banorë të thjeshtë për mbajtjen e një referendumi për anëtarësimin në Federatën Ruse sa më shpejt të jetë e mundur.”,- tha kreu i administratës ushtarako-civile të Khersonit, Vladimir Saldo.
Brenda javës edhe Dhomat Qytetare të Republikës së vetëshpallur Popullore të Luhanskut dhe ajo e Dnjeckut i bënë thirrje liderëve të tyre për referendum i cili do t’i bashkonte me Rusinë. Një ditë më parë presidenti rus tha se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore kanë efekt negativ për vetë ata dhe kombet më të varfra.
“Ata vendosin kufizime të paligjshme dhe ushtrojnë presion kudo që munden, natyrisht duke përfshirë Rusinë, përpjekje për të forcuar pozicionin e tyre. Është cinike që propozimi ynë për të transferuar 300,000 [ton] plehra ruse të bllokuara në portet evropiane për shkak të sanksioneve për vendet në nevojë falas, mbetet pa përgjigje.”,- theksoi presidenti rus, Vladimir Putin.
Ndërkohë në qytetin e Izjum vazhdojnë gërmimet për gjetjen e trupave, pas rimarrjes nga pushtimi rus. Mbi 100 oficerë policie dhe mjekë ligjorë punuan për të zbuluar se çfarë ndodhi me varrin masiv. Autoritetet thonë se disa prej trupave kanë vdekur për shkaqe natyrale, ndërsa të tjerë janë gjetur të lidhur pas dhe me plagë me thikë, të cilat mund të jenë shenja torture. (Leunora Kaliqi, TVM2)
