Debat për reformat zgjedhore, IPE:Të kyçen ekspertë, të digjitalizohet procesi

20.09.2022 18:45

Ndryshimi i numrit të njësive zgjedhore....

Ndryshimi i numrit të njësive zgjedhore, listat e hapura, votimi i diasporës dhe regjistrimi i votuesve, ishin temat kryesore të analizave të Institutit Për Politika Eurpiane kushtuar debatit për reforma në modelin zgjedhor.

Konkluzioni i përgjithshëm i këtij instituti është se opinioni publik, respektivisht ekspertët e kësaj lëmie duhet të kyçen më shumë në procesin e përpilimit të modelit ideal zgjedhor, i cili sipas qytetarëve të shprehur në anketë assesi nuk duhet të miratohen pak para organizimit të zgjedhjeve.

“Në përgjithësi qytetarët nuk mbështesin ndryshimin e modelit zgjedhor pak para organizimit të zgjedhjeve. Ata në këtë anketë u tregojnë qartë vendimmarrësve që ky diskutim duhet të zgjatë më shumë dhe assesi ndryshimet në fjalë të mos miratohen pak para organizimit të zgjedhjeve.”,- tha drejtoresha e IPE-së, Simonida Kacarska.

Qytetarët presin në të ardhmen të digjitalizohet procesi zgjedhor.

“Qytetarët presin që gjatë proceseve zgjedhore të përdoret më shumë teknologjia informatike  siç është për shembull on-line votimi i qytetarëve.”,- theksoi drejtoresha e IPE-së, Simonida Kacarska.

Grupet Punuese të Ministrisë së Drejtësisë aktualisht po punojnë në përpilimin e pr/ligjit të modelit të ardhshëm ideal zgjedhor.

Debati mes këtyre anëtarëve zhvillohet fillimisht në drejtim të asaj për atë se a duhet ulur ose rritur numri i njësive, a të ketë ose jo lista të hapura, financimin e partive politike gjatë fushatës dhe raportimin e mediave mbi procesit zgjedhor.

Për këto çështje të gjitha partitë kanë pikëpamje të ndryshme. (Rexhep Qamili, TVM2)