Maqedoni

Fraksioni i VMRO–DPMNE–së shpalosi iniciativën për ndërrimin e Mickovskit

21.09.2022 14:55

Fraksioni për revitalizim demokratik....

Fraksioni për revitalizim demokratik të VMRO–DPMNE-së në krye me ish ministrin e brendshëm, Oliver Andonov, publikoi iniciativën për ndërrimin e Mickovskit nga kreu i partisë dhe ftoi anëtarësinë për mbështetje.

Andonov tha se iniciativa vjen si pasojë e mos-angazhimit të Mickovskit në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe s’ka të bëjë me aktualitetet politike apo përplasjet me kryetaren e qytetit të Shkupit.

As deputetët e VMRO–së nuk janë kontaktuar për përfshirje në nismën.

“Krahas dorëheqjes së Mickovskit dhe qëllimit për organizim të zgjedhjeve të reja për kryetar të ri të partisë, pasi që Mickovski është i harxhuar plotësisht; do të jetë edhe thirrja për mbështetje ndaj anëtarësisë në komitetet të cilat thuajse janë të vdekura. Nëse kthehemi pesë vite mbrapa, më thoni një punë të cilën Mickovski ka bërë, a ka marrë pjesë në ndonjë proces ose ka mbrojtur ndonjë interes kombëtarë në Maqedoni.”,- tha kryesuesi i fraksionit të VMRO–DPMNE-së, Oliver Andonov.

Mickovski: S’ka përçarje brenda partisë

Përderisa Andonov fliste, bashkëpartiakët e tij nga pres qendra lëshuan muzikë të zëshme. Kreu i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski, e nënvlerësoi iniciativën duke mohuar të ketë fraksion brenda partisë.

“Nuk mund të them se në VMRO–DPMNE ka fraksion. Njerëz të tillë mua tanimë  katër vjet e gjysmë për çdo ditë më ndërrojnë, ndërkohë që VMRO-DPMNE është edhe më e fuqishme, më e unifikuar dhe e tillë do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare me fitore rekorde dhe shumicë në kuvend.”,- theksoi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Edhe nga fraksioni konsiderojnë se beteja për largimin e Mickovskit nuk do të jetë e lehtë dhe e menjëhershme, megjithatë me presionin që do të ushtrojë anëtarësia, ndikimin e tyre në komitetin qendror, vlerësojnë se Mickovski do të detyrohet të ik. (Meral Ismaili, TVM2)