Ngrohja e amvisërive përballë krizës, Nuredini: Lëndët djegëse, të plotësojnë standardet
Ministri i Ambientit, Naser Nuredini....

Ministri i Ambientit, Naser Nuredini, ka hedhur poshtë atë që para disa ditësh u përhap në opinion se i njëjti ka rekomanduar që qytetarët mos të ngrohen me drunj shkaku që e ndotin ajrin.
Ai tha se qytetarët duhet të ngrohen me materiale që respektojnë standardet. Nuredini më tej shtoi se do të nisin kontrolle me inspektoratin e pyjeve me qëllim që të kontrollojnë çmimet për metër kub drunj.
“Unë nuk kam thënë se qytetarët të mos ngrohen me drunj ose diçka tjetër, por të ngrohen me materiale që respektojnë standardet në shtetin tonë. E kuptojmë se jemi në një kohë të vështirë për ne, për gjithë BE-në, ne jemi të vetëdijshëm, se janë duke u rritur çmimet për ngrohje në amvisëri, ne mundohemi t’i përkrahim ato, kemi dëgjuar edhe për çmimet në tregun privat, që druri është rritur me çmim, por bashkë me inspektoratin e pyjeve dhe me ministrin përkatës do të shikojmë dhe do t’i kontrollojmë edhe ato çmime.”,- deklaroi ministri i ekologjisë, Naser Nuredini.
Ndotja e shtuar e ajrit gjatë sezonit të dimrit ngre alarmin tek qytetarët të cilët kërkojnë nga institucionet masa shtesë për të parandaluar të njëjtën, aq më tepër këtë dimër ku si pasojë e krizës energjetike pritet që kapacitetet në vend të punojnë me qymyr dhe naftë.
Ministri i ambientit, Naser Nuredini, vlerëson se kohët e fundit në vend ka një rënie të ndotjes së ajrit. Sipas tij, të gjithë termocentralet kanë leje A të integruar dhe paralajmëroi se në terren do të ketë kontrolle të shtuara për t’u parë nëse kompanitë i respektojnë standardet.
Këto komente Nuredini i bërë gjatë promovimit të projektit europian “Forcimi i kapacitetit - Natura 2000”. (Visar Sadiki, TVM2)
