Qeveri, efektet e krizës energjetike në arsim, Arsovski: Prania fizike në shkolla në favor të nxënësve
Pasi dje komunat e rajonit të Pollogut....

Pasi dje komunat e rajonit të Pollogut kërkuan që për shkak të krizës energjetike pushimet dimërore të zgjaten dhe të zgjasin për dy muaj ose të organizohen mësime online, sot Qeveria njoftoi se është në interes të nxënësve që të vijojnë mësimet me prani fizike. Në seancën e djeshme të qeverisë aspak nuk është diskutuar për çështjen e mundësisë së zgjatjes së pushimeve apo mësimit online.
“Qeveria mbetet e përkushtuar për tejkalimin e sfidave të shkaktuara nga kriza energjetike dhe është në komunikim me të gjitha palët e interesuara përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Me këtë rast ju njoftojmë se nuk ka ndryshim në mënyrën e mësimdhënies me prezencë fizike në shkollat fillore dhe të mesme. Organizimi sa i përket shpenzimeve për ngrohje është në kompetencë të komunave, përkatësisht të vetëqeverisjes lokale dhe për këtë komunave u dërgohen subvencione nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Është e rëndësishme të thuhet se ata janë të përgjegjshëm dhe sigurisht është në interesin e nxënësve që të jenë fizikisht të pranishëm në mësime.”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski
Kërkesa për pushim të zgjatur dimëror ose mësim online është bërë pas mbledhjes së djeshme të nëntë komunave që janë pjesë e rajonit të Pollogut. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
