Dita Botërore e Alzheimer në RMV, Novotni: 20 mijë njerëz përballen me sëmundjen

21.09.2022 18:02

Harresa nuk është më proces i plakjes....

Harresa nuk është më proces i plakjes. Sëmundja e Alzheimerit, ose hajduti i heshtur i kujtimeve - siç e quajnë mjekët, nëse zbulohet dhe trajtohet herët, pacientët mund të kenë cilësi më të mire të jetës.

Njëzet mijë persona në vend përballen me këtë sëmundje. Mjekët thonë se demenca diagnostikohet edhe te pacientët në moshë të re.

“Ne e kuptojmë sëmundjen se është për të moshuarit dhe se harresa është pjesë normale e plakjes. Ka shumë persona në moshë të re, mendoj persona të aftë për punë që fatkeqësisht përballen me këtë sëmundje dhe patjetër duhet të mendojmë për të gjithë.”,- tha neurologia në Klinikën e Neurologjisë, Gabriella Novotni.

Në vendin tonë akoma kjo kategori e pacientëve po përballet me mungesë të qendrave të trajtimit edhe pse janë të planifikuara me ligjet e vendit. Mënyra e shëndetshme e të jetuarit, ushqimi i shëndetshëm dhe socializimi janë ndër kushtet kryesore parandaluese të kësaj sëmundjeje, e cila llogaritet si epidemia e shekullit 21.

“Jo çdo harresë do të thotë sëmundje apo demencë, megjithatë nëse harroni për shembull ditëlindjen e ndonjë personi të afërt që e keni dhe nëse harroni që jemi marrë vesh që sot të takohemi këtu, apo nëse harroni që përse jeni duke shkuar në shitoren e afërt që e keni dhe pastaj e harroni rrugën  se si të ktheheni në shtëpi, ky është një alarm i kuq që tek ne ende e përshkruajmë si proces të plakjes, megjithatë sa më herët të caktohet diagnoza aq më herët e fillojmë trajtimin dhe ruhet cilësia e jetës.”,- theksoi Novotni.

Çdo i teti pacient mbi 65 vjeç që viziton mjekun amë mund të ketë demencë. Sëmundja e Alzheimerit është një epidemi e shekullit të 21. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)