Dekreti i Putinit për mobilizim, liderët botërorë dënojnë luftën në Ukrainë

21.09.2022 18:12

Presidenti rus, Vladimir Putin...

Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi. Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t'i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se "ky nuk është një mashtrim".

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm,vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë do t’i nënshtrohen rekrutimit,prioritet do të jenë ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë një specializim të caktuar ushtarak dhe përvojën përkatëse. Përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata" për "mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë. Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t'ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi, Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet... për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t'i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Ky nuk është një mashtrim.”,- deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Putin duhet ta kuptojë se nuk mund ta fitojë luftën, ndërsa tha se nuk ka asnjë justifikim për nisjen e fushatës së agresionit në shtetin fqinj.

“Nuk ka justifikim për pushtimin rus të Ukrainës. Presidenti Putin e nisi luftën me të vetmin objektiv; të aneksojë Ukrainën. Vetëvendosja, pavarësia politike nuk vlejnë për të. Ky është imperializëm, i qartë dhe i pastër. Rikthimi në imperializëm është një katastrofë jo vetëm për Europën, por për të gjithë rendin paqësor global.”,- theksoi kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Edhe presidenti francez, Emanuel Macron, tha se asnjë vend nuk duhet të qëndrojë neutral në dënimin e luftës ruse. Presidenti ukrainas Zelensky deklaroi se pozicioni dhe qëllimet e Kievit mbeten të pandryshuara pavarësisht njoftimeve për referendume të ardhshme në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansutk, si dhe në rajonet Kherson dhe Zaporozhye.

“Ka mënyra që shumë vende në botë mund të ndihmojnë Ukrainën, përmes municioneve që na duhen. SHBA mund të ketë ndikim politik mbi ato vende. “Po, disa njerëz do të dëshironin të qëndronin në krah, por në këtë luftë nuk mund të qëndroni në anën.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është "shenjë paniku" në Kremlin, që "nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin".Opozita në Rusi bën thirrje për ta rrëzuar Putinin nga pushteti,  duke theksuar se “duhet të ketë një zgjim masiv”. (Gyltene Sinani, TVM2)