Analistët në “Argument”, qeveria nuk ka nevojë për ndryshime të reja

21.09.2022 18:27

Ndryshime në kabinetin qeveritar....

Ndryshime në kabinetin qeveritar, sidomos në këto momente krize nuk janë të nevojshme, vlerësuan analistët politik në debatin e mbrëmshëm argument në TVM2.  Analistët Faton Haliti dhe Zudi Xhelili nuk presin që në një të ardhme të ketë riformatim të qeverisë, aq më tepër kur vendi po përballet me një mori sfidash dhe krizash, nga ato politike e deri tek ato energjetike. Dorëheqja e ministrit të pushtetit lokal, sipas tyre, është vendim i tij personal.

“Mendoj se ndryshimi mund të jetë kaq, apo eventualisht brenda, brenda koalicionit të LSDM-së. Por, nuk shoh ndonjë arsye të ketë ndryshime më të gjëra, por sot edhe Alternativa edhe BDI-ja, demantuan një gjë të tillë se nuk kanë nevojë për ndryshime.”,- tha analisti politik, Faton Aliti.

“Ndryshime kozmetike nuk ka nevojë, dorëheqja e ministrit është çështje e brendshme e partisë liberale dhe do të mbarojë vetëm me atë ndryshim, ndërsa të gjithë faktorët tjerë u deklaruan se nuk kanë nevojë, për shkak se kjo çështja e ndryshimit të kushtetutës është brenga më e madhe që na pret të gjithëve si vend, a sidomos faktorët politik.”,- theksoi analisti politik, Zudi Xhelili.

Marrëveshjet e arritura që kanë edhe garanci ndërkombëtare, siç është edhe Marrëveshja me Bullgarinë, që hapi rrugën integruese të vendit, për analistët politik në “Argument” janë veprime të sakta të cilat anashkalojnë ideologjitë e vjetra dhe izoluese.

Analisti, Besnik Rameti, thotë se vetëm përmes fqinjësisë së mirë mund të ndjekim rrugën e duhur, atë europiane, sidomos në kohëra të turbullta kur vendi po përballet edhe me një krizë të madhe energjetike. 

“Nuk duhet të shkojmë më në anë të ideologjive të mbrapshta të shekujve të kaluar, por duhet të mendojmë përpara. Gjithë shteti duhet ta pranojë këtë ide për një marrëveshje, për një fqinjësi më të mirë dhe të ndjekim rrugën e BE-së, të jemi pjesë e Europës, të ndryshojë gjendja jonë në këtë kohë të krizës energjetike. Pasi që Maqedonia është shtet edhe social, edhe tek këto raste të ngrihen proceset dhe të ketë një zhvillim të mirë.”,- u shpreh profesori universitar, Besnik Rameti.

Panelistët në debatin e mbrëmshëm në “Argument” shprehën optimizëm se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë dhe kjo do të bëhet e mundur përmes rrugës së dialogut, por dhe me ndikimin e fuqive të mëdha të cilat nuk duan që RMV të devijojë rrugëtimin e nisur drejt Unionit. (Fitim Kryeziu, TVM2)