Botë

Protestat në Rusi, arrestohen mbi 1 mijë persona

22.09.2022 11:41

Të paktën në 36 qytete të Rusisë janë mbajtur të mërkurën protesta masive të organizuara kundër shpalljes...

Të paktën në 36 qytete të Rusisë janë mbajtur të mërkurën protesta masive të organizuara kundër shpalljes së mobilizimit të pjesshëm ushtarak nga Putin.
 
Autoritetet ruse reaguan me dhunë duke arrestuar mbi 1 mijë protestues, mes të cilëve edhe shumë gra. Ndërkohë shumë rusë kanë rezervuar me nguti bileta njëdrejtimëshe për t’u larguar nga Rusia.Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.
 
Një numër i madh i rusëve veçse kanë lëshuar shtetin prej kur Putin ka urdhëruar ushtrinë që të pushtojë Ukrainën gati shtatë muaj më parë.Air Serbia, kompania e vetme evropiane përveç Turkish Airlines që realizon fluturime në Rusi, pavarësisht embargos së vënë nga Bashkimi Evropian, ka shitur biletat shpejt në destinacionin Moskë-Beograd.
 
Biletat për fluturimet prej Moskës drejt Stambollit dhe Dubait janë shitur në deri 9.200 euro.Një grup me bazë në Beograd, i quajtur, Rusët, bjellorusët, ukrainasit dhe serbët të bashkuar kundër luftës, ka bërë të ditur se nuk ka më bileta për fluturimet nga Rusia në Beograd deri në mesin e muajit tetor.
 
Edhe biletat për fluturimet drejt Turqisë, Gjeorgjisë dhe Armenisë, janë shitur po ashtu.Rusët mund të hyjnë në Serbi pa viza. Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.Vendet aleate sikurse Bjellorusia dhe Kina, nuk kanë vënë po ashtu sanksione ndaj Rusisë.