Maqedoni
Kriza në Ukrainë, Xhozef: Siguria juaj, vetëm në NATO dhe BE
22.09.2022 15:22
Maqedonia e Veriut të orientohet mirë drejt politikave Perëndimore dhe sigurinë ta sheh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe BE-së...

Maqedonia e Veriut të orientohet mirë drejt politikave Perëndimore dhe sigurinë ta sheh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe BE-së, sepse kërcënimet që vijnë nga Rusia janë me pasoja të mëdha. Kështu porositi profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve politike të Ballkanit, Eduard Xhozef, në debatin mbi realitetet e reja pas krizës në Ukrainë.
“Siguria juaj është në rrezik, të gjithë qytetarët e RMV-së janë në rrezik nga ky kërcënim dhe nga shtetet që e përkrahin Rusinë. Pse? Sepse Rusia kërcënon me armë nukleare. E dini se radiacioni i Çernobilit pati arritur edhe në vendin tuaj? Putini është lider i dobët nuk është fuqishëm. Ju keni lider tjetër autokrat në SRBI, Aleksandar Vuçiqin, i cili refuzoi sanksionet dhe promovon destabilitet në rajon. Duhet ta shihni sigurinë jashtë ombrellës së Serbisë dhe ajo gjendet brenda BE-së dhe NATO-s.”,- deklaroi profesori universitar amerikan, Eduard Xhozef.
"Ballkani i Hapur", Xhozef: Iniciativë që favorizon vetëm Serbinë
Xhozef me kritikë edhe për Ballkanin e Hapur. Iniciativa e dizajnuar si e tillë, sipas profesorit amerikan favorizon vetëm politikën dhe ekonominë serbe.
“Qasja ime për Ballkanin e Hapur është shumë e qartë. Është ide e mirë e vendeve të rajon të zhvillojnë tregti mes vete, por është ide e keqe ta bësh këtë me një dizajn që rrit fuqinë politike serbe. Fuqia ekonomike është fuqi politike. Ekonomitë në rajon nuk janë të njëjta. Serbia ka ekonomi më të madhe. Serbia zhvillon tregti me një numër të madh shtetesh në rajon ndërsa ekonomia e Mali të Zi është sa një e katërmbëdhjeta e ekonomisë së Serbisë. Duhet të balancohet ky" Ballkan i Hapur "me trekëndëshin e shëndetshëm: Shkup-Prishtinë-Athinë.”,- tha profesori universitar amerikan, Eduard Xhozef.
Në raport me Bullgarinë, analisti politik Zhozef tha se Bullgaria nuk sillet me konstruktivitet ndaj RMV-së, por sugjeroi politikanë t t’i qasen implementimit të skriningut, reformave dhe luftës kundër korrupsionit, ndërkaq për ndryshimet kushtetuese potencoi se nuk sheh kushte dhe atmosferë politike të ndodhin tani.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
