UNT dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë

22.09.2022 17:25

Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, Skender Gjinushi....

Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, Skender Gjinushi, nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi. E njëjta do të shoqërohet me projekte konkrete si dhe bashkëpunim të ndërsjellë në sferën e këmbimit të kuadrove si dhe integrimin e profesorëve në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Bashkëpunimi i ndërsjellë do të intensifikohet në shumë sfera, duke përfshirë edhe enciklopedinë, historinë dhe fusha tjera në interes të të dyja palëve.                                                                                                               

“Në kuadrin e projekteve që ka ndërmarrë akademia në drejtim të enciklopedisë, për historinë apo për fjalorin e madh të shqipes është  zgjedhur një tjetër fushë në të cilën e mirëpresim çdo kontribut, të personelit akademik të UNT-së. Sigurisht do shihen edhe sfera tjera bashkëpunimi edhe në shkencat e natyrës ku duke shfrytëzuar edhe faktin që rektori është pjesëtar i ASHAM-it dhe në kuadër të bashkëpunimit mes dy akademive gjendet hapësira për bashkëpunime jo vetëm dypalëshe por edhe më gjerë.”,- deklaroi kryetari i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, Skender Gjinushi.

“E shohim interesin e bashkëpunimit me Akademinë në shumë fusha, posaçërisht në drejtimet shkenca sociale, teknike, ekonomike, shkencat e ndërtimtarisë, shkencat informatike që të kyçemi në projekte hulumtuese kërkuese në kuadër të njësive të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të bashkëpunojmë edhe në fusha tjera. Jam shumë i gëzuar që akademia na solli afër 700 tituj të librave të botuar nga akademikët për studentët tanë.”,- tha rektori i UNT–së, Izet Zeqiri.

I pyetur për narrativin antishqiptar që ASHAM ka ndaj shqiptarëve të RMV-së Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skender Gjinushi tha se,  Shqipëria dhe RMV janë vende kandidate për anëtarësim në BE dhe integrimi evropian detyron vendet që të respektojnë standardet demokratike përfshirë edhe të vërtetat historike pa krijuar konflikte dhe deformime të panevojshme.

Sipas tij, akademitë duhet të ndikojnë për mospolizimin e historisë dhe mos shkrimin e njëanshëm të saj. Akademia e shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetet  shqiptare, janë duke hartuar tre projekte dhe aty do të thuhen të vërtetat shkencore mbi origjinën e shqiptarëve potencoi Gjinushi. (Flutura Latifi, TVM2)