Arsovska: Shkarkimet po bëhen për mbrojtjen e buxhetit
Procedurat e shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve....

Procedurat e shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve në ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit po realizohen sipas afateve ligjore, thotë kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska. Sipas saj, gjithçka po bëhet në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe parave të buxhetit.
“Tërë këtë që e shihni nuk mendoj se është rezultat I diçkaje që duhet heshtur. Dhe nëse çmimi për këtë është kjo që e shohim për momentin, besoj se këtë përgjegjësi do ta bartim dhe do ti shohim rezultatet e kërkuara,sepse në thelb nuk kemi humbur asgjë. Besimi i dhënë nga qyteti dhe qytetarët për ta ruajtur atë buxhet dhe të punohet në interes të qytetarëve nuk guxon të tradhtohet. Këto drejtor janë kryerës të detyrave dhe nëse nuk e realizojnë apo bëjnë diçka në kundërshtim me besimin e dhënë nga qytetarët nuk besoj se duhet të jenë të mbrojtur.”,- tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
VMRO-DPMNE parashtresë te Anti-korrupsioni ndaj Arsovskës
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja dorëzoi parashtresë në Komisionin Anti-korrupsion për emërimin e Marjan Mitovskit në postin e drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Marija Miteva nga kjo parti thekson se Danella Arsovska, e ka emëruar atë në dy funksione në kuadër të Qytetit të Shkupit.
“Gjendja faktike është se Danella Arsovska si kryetare e Shkupit e ka emëruar Mitovskin në dy pozicione. Marjan Mitovski në momentin e emërimit në pozicionin ushtrues detyre drejtor në NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”- Shkup, paralelisht është bartës i një funksioni tjetër, anëtar i bordit drejtues i NP “Rrugë dhe Rrugica” Shkup, dhe me këtë në mënyrë direkte e shkel nenin 44 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Mitovski nuk duhej të emërohet drejtor në NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” derisa është e anëtar në një bord drejtues në një tjetër ndërmarrje publike në Qytetin e Shkupit.”,- deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe kryetares së Shkupit Arsovska, pasuan pas shkarkimit të drejtorit të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, që lidhet me tenderin për stacionin e pastrimit të lumit Vardar, pas çka pasuan dorëheqje të drejtorëve të disa ndërmarrjeve publike të kryeqytetit. (Gyltene Sinani, TVM2)
