Rusi, protesta kundër mobilizimit për luftë në Ukrainë

22.09.2022 20:11

Protestat kundër mobilizimit “të pjesshëm”....

Protestat kundër mobilizimit “të pjesshëm” ushtarak të shpallur nga Kremlini për luftën në Ukrainë arritën në Moskë dhe Shën Petersburg.  Gjatë protestave u arrestuan rreth 1.400 persona në 38 qytete të Rusisë, tha lëvizja ruse për të drejtat e njeriut OVD-Info.

Ndërsa lëvizja opozitare Vesna dhe lideri i burgosur, Alexei Navalny, u bënë thirrje njerëzve që të dalin masovikisht në protesta.

Biden: Referendumet e Putinit jolegale në Ukrainë

Ndërkohë presidenti amerikan Biaden, duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e ka akuzuar Moskën për shkeljen e kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Putin hapur iu kërcënua Evropës me armë nukleare. Tani ai mobilizon udhëtarë të rinj për të iu bashkangjitur luftës. Kremlini po organizon referendume jo-legale për bashkëngjitjen e territoreve të Ukrainës ndaj Rusisë. Putin thotë se Rusia ishte e kërcënuar por askush nuk e ka kërcënuar Rusinë.”,- tha presidenti i SHBA-ve, Xho Biden.

Njoftimi i Putinit për mobilizim të 300 mijë rezervistëve erdhi pasi administratat e instaluara nga Rusia në territoret e okupuara të Ukrainës, njoftuan zhvillim të referendumit për bashkim me Rusinë.

"Donbasi dhe territoret e tjera pas referendumit dhe anëtarësimit në Rusi do të forcohen ndjeshëm nga forcat e armatosura të Federatës Ruse, jo vetëm mundësia e mobilizimit, por edhe çdo armë ruse, përfshirë armët bërthamore strategjike, mund të përdoren për t'i mbrojtur ato.",- ka thënë zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, në kanalin e tij Telegram. Sipas tij Perëndimi duhet të kuptojë se "Rusia ka zgjedhur rrugën e saj" dhe se "nuk duhet të na trembin me histori për sulmin e NATO-s në Krime".

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon që Rusia të dënohet për krimet e bëra.

“Ne nuk e dëshironim këtë luftë. Kishim 88 raunde bisedimesh që nga fillimi i mandatit tim si president. Ukraina nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të mbrohet.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.

Borrell: BE dënon referendumin e Rusisë në Ukrainë

Eurokomisari për politikë të jashtme dhe siguri, Borell, paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë pas eskalimit të fundit të paralajmëruar nga Moska.

“BE e përsërit dënimin e saj për planet e Rusisë për organizimin e referendumeve jo legale për aneksimin e Donjeckut dhe Hersonit si dhe rajonin Lugansk dhe Zaporozhje nga ana e Rusisë. Vlerësojmë se këto referendume jo ligjore janë edhe një shkelje e ashpër e pavarësisë, suverenitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje serioze e kartës së Kombeve të Bashkuara.”,- theksoi  eurokomisari për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Makron: Të shtohet presioni ndaj Rusisë

Për presion ndaj Rusisë pas paralajmërimeve për mobilizim të ri të ushtarëve ka folur edhe presidenti francez, Makron.

“Tani secili mund të bëj presion maksimal ndaj presidentit Putin që të merr fund kjo luftë e cila më tepër nuk ka kurrfarë kuptimi.”,- u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Nga ana tjetër autoritetet ukrainase informojnë se gjatë shkëmbimit të personave të burgosurve me Moskën, u liruan 215 shtetas ukrainas dhe të huaj. Ukraina liroi 55 të burgosur duke përfshirë Viktor Medvedchuk, një ish-deputet ukrainas dhe aleat i Presidentit Putin, i akuzuar për tradhti të lartë që u këmbye me 200 luftëtarë. Shkëmbimi i të burgosurve ka qenë në përgatitje për kohë të gjatë dhe përfshin ndihmën e Arabisë Saudite dhe Turqisë. (Leunora Kaliqi, TVM2)