Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe BE-së, Hohmann: Lufta kundër pastrimit të parave, drogës

23.09.2022 18:44

Pesë çështje kritike, ngriti ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë....

Pesë çështje kritike, ngriti ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, në prezantimin e projektit të ri të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së, EU4LEA.

Por theksin diplomatja e vuri tek lufta kundër pastrimit të parave dhe drogës.

“Do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore” – tha Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann.

Në takimin për sigurinë “Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri”, të financuar nga vetë BE, ministri i Brendshëm Çuçi përqëndroi vëmendjen tek lufta me sulmin kibernetik.

Kryeprokurori Olsian Çela kërkoi ndihmë për trajnimin e oficerëve të policisë gjyqësore.

“Po përballemi me luftra të reja siç është lufta kibernetike. Ky sulm na tregoi që asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm këto fenomene, e jo më një vend i vogël në zhvillim siç është Shqipëria” – tha Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Nevojën që prokuroria ka në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore” – deklaroi Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çela.

EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE. (Luljeta Ndoka, TVM2)