Maqedoni
Kumanovë, mashtruesit manipulojnë të moshuarit për dru
24.09.2022 13:53
Kriza energjetike përpos që ka ndikuar që qytetarët tu kthehen drunjëve si energens për ngrohje...

Kriza energjetike përpos që ka ndikuar që qytetarët tu kthehen drunjëve si energens për ngrohje, ka nxjerrur në sipërfaqe edhe mashtrues të ndryshëm për kinse sigurimin e drunjëve në rajonin e Kumanovës. Pre e mashtruesve kryesisht janë të moshuarit, të cilëve u mirren paratë, porse kurrë nuk ua sjellin drunjët.
Këtë e konfirmojnë edhe nga SPB e Kumanovës, duke regjistruar dhjetëra raste të mashtrimit të qytetarëve.
“Kryesit e mashtrimeve veprat i kryejnë duke shkuar, kryesisht nëpër shtëpitë e personave më të moshuar, duke i sjellur në hamendje duke u ofruar fakte të rrejshme se shesin dru për djegie. I bindin që fillimisht tua paguajnë shumën e duhur për sigurimin e drunjëve, duke u thënë se kamioni është afër dhe së shpejti do të arrijnë edhe drunjët. Kështu ua marrin paratë dhe largohen, pa u siguruar kurrë drunjë”, na njohtoi zëdhënësja e SPB në Kumanovë, Ivana Mlladenovska.
Për këtë arsye nga SPB e Kumanovës u apelojnë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, kur persona të panjohur u ofrojnë dru për ngrohje me çmimim më të ulët se sa ofrohen në shitje. Sidomos në kohën kur për dru duhet pritur me ditë e javë edhe atë me çmime, të cilat në depot private sillen në mbi 5.000 denarë. Andaj nga SPB në Kumanovë u apelojnë qytetarëve që në rast se vërejnë persona të dyshimit, repsektivisht mashtrues menjëherë të paraqiten në numrin e telefonit 192.
FATLUM AQIFI
