Maqedoni
Kriza energjetike, Bytyqi: Energji elektrike do të ketë
24.09.2022 14:50
Energji elektrike do të ketë gjatë gjithë sezonit të ngrohjes, me çmimet më të lira të mundshme në treg...

Energji elektrike do të ketë gjatë gjithë sezonit të ngrohjes, me çmimet më të lira të mundshme në treg. Zëv/kryeministër për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, siguron qytetarë dhe ekonominë se janë siguruar kapacitet e nevojshme për tregun e regulluar, ndërkaq brenda javës tjetër do të mësohet epilogu për furnizimin e mundshëm me energji elektrike nga Bullgaria, Sërbia dhe Turqia.
“Qytetarët dhe 70 mijë kompani që janë në tregun e regulluar s’duhet të kenë frikë për mospasje të energjisë elektrike deri në mars të vitit tjetër. Mbetet pjesa e tregut të lirë, ku Qeveria dëshiron të ndërhyjë edhe pse nuk i takon, pasi kur keni treg të lirë nuk i përket Qeverisë të intervenojë, por siç kemi thënë, do t’u dalim krah. Përpiqemi të gjejmë lëndën e parë për prodhimin shtesë të energjisë elektrike, e cila do t’i jepej në dispozicion ekonomisë, me çmime më të lira se në bursë.”, tha Fatmir Bytyqi, zëv/kryeministër për çështje ekonomike.
Bytyqi: “BEG” e ka detyrë të ofrojë ngrohje
Sa i përket fillimit të sezonit të ngrohjes në kryeqytet, Bytyqi thotë se kompania “BEG” e ka për detyrë të ofrojë shërbim për qytetarët konformë marrëveshjes, deri në momentin që operatori i ri të hyjë në treg.
“Meqë Qyteti i Shkupit nuk e mori përsipër shërbimin publik ofrimin e energjisë për ngrohje, i la qytetarët në baltë, Qeveria, për fat të keq, intervenoi me formimin e tre kompanive, të cilat duhetta sigurojnë shërbimin publik për qytetarët. Për momentin rrjeti shpërndarës i është dhënë në Elektro Ekonomisë së Maqedonisë, e cila ka liçencë për ofrimin e shërbimit. BEG duhet të ofrojë shërbim deri sa të hyjë operatori i ri ekonomik.”, tha Bytyqi.
Zëv/kryeministër për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, morri pjesë në festivalin e organizatës CIVIKA Mobilitas, ku i shënua Dita e organizatave qytetare dhe ndërmarrjeve sociale.
SHPËTIM NUREDINI
