Maqedoni

Kovaçevski: Vmro dhe E Majta frenojnë integrimin

24.09.2022 15:28

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se opozita maqedonase përpiqet ta ndalojë procesin e eurointegrimeve të vendit...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se opozita maqedonase përpiqet ta ndalojë procesin e eurointegrimeve të vendit. Akuzoi partinë “E Majta”, se ka bashkëpunim të drejtëpërdrejtë me parti ruse. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedone, Kovaçevski dënon  sjelljen e papërgjegjshme të VMRO-DPMNE-së, e cila poashtu pengon arritjen e qëllimeve strategjike të vendit dhe përkrah veprimet e partisë “E Majta”.
 
 “Më shqetëson edhe sjellja e VMRO-DPMNE-së që gjithmonë kundërshton interesat strategjike të vendit. Ishin kundër Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimit në NATO, tani ishin kundër propozimit lidhur me kornizën negociuese dhe nisjen e negociatave me BE-në. Më vonë që të kenë mundësi të fshehen pas qytetarëve të vendit, nisën një nismë antikushtetuese për referendum dhe gjithashtu mbështesin nismën e “Levicës”, që ka të bëjë kryesisht me rrugëtimin e vendit drejt BE-së.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
 
Kovaçevski: Skriningu, 14 muaj; anëtarësimi në 2030-n
 
Kryeministri Kovaçevski shprehet i bindur se Maqedonia e Veriut është e përgatitur për procesin negocues dhe sipas tij, ky proces realisht mund të përfundojë në vitin 2030.
 
“Për momentin kemi 45% të legjislacionit të harmonizuar me BE-në. Kemi strukturën negociuese të zyrtarizuar nga Qeveria. Të kyçur janë bashkësia akademike dhe sektori civil. Vlerësoj se për 14 muaj realisht mund të përfundojë procesi i skriningut, kurse deri më 2030, konform tempos së punës, RMV-ja realisht mund të bëhet anëtare e BE-së.”, tha Kovaçevski.
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili është në vizitë zyrtare në OKB, do të mbajë fjalim në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
 
SHPËTIM NUREDINI