Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Selimi: Duhet vullnet politik, afati kohor s’luan rol
24.09.2022 16:45
Derisa sekretariati për eurointegrime dhe organet gjegjëse janë vënë në funksion të implementimit të skriningut

Derisa sekretariati për eurointegrime dhe organet gjegjëse janë vënë në funksion të implementimit të skriningut, parlamenti i vendit vazhdon me harmonizimin e ligjeve me direktivat e BE-së, ndërkaq sfida kryesore mbetet ndryshimi i kushtetutës. Për analistin politik Sefer Selimi qeveria nuk brengoset aq për intervalin kohor, sa për gjetjen e mundësisë për të siguruar shumicën e dyfishtë për ndryshimet kushtetuese.
“Problemi nuk është çështje kohë sa që është vullneti politik dhe tek mundësia apo deri tek dialogu i cili do të mundësonte një shumicë të dyfishtë për t'i bërë ndryshimet kushtetuese. Për ndryshimet kushtetuese nuk duhet më shumë se 3 muaj nëse do të ketë një dakordim të brendshëm... Unë mendoj se për temat politike do të ketë një dinamizëm më të madh në periudhën që vijon dhe nuk do të habitesha nëse do të kishte edhe ndryshim në qëndrimin për futjen e bullgarëve në preambulën e kushtetutës.”, tha analisti politik Sefer Selimi.
Dy fazat e skriningut sipas kalendarit evropian të harmonizuar me qeverinë, deri në tetor të vitit të ardhshëm duhet të jenë jetësuar. Ndërkohë institucionet e vendit duhet të bindin partitë politike që të mbështesin kërkesën e BE-së për inkorporimin e bullgarëve në kushtetutë. Pasi që kryetari i kuvendit Talat Xhaferi refuzoi kërkesën e VMRO-DPMNE-së për referendum, javën që vjen e “Majta” ka paralajmëruar se do të fillojë të mbledhë njëqind nënshkrimet fillestare për t’i dorëzuar në KShZ dhe kjo e fundit të zyrtarizojë nismën për referendum.
NERMI MULAKI FEJZULLAHU
