Maqedoni

Iran, të paktën 35 të vrarë në protesta

24.09.2022 12:39

Media shtetërore iraniane njoftojnë për të paktën 35 persona të vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran...

Media shtetërore iraniane njoftojnë për të paktën 35 persona të vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran, që po organizohen pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila po mbahej nga Policia e moralit për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.
 
"Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona", njoftoi televizioni shtetëror iranian. 
 
Paraprakisht ishte njoftuar për 17 të vdekur, përfshirë pesë zyrtarë policorë.Protestuesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë ditë rresht, që nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini. Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë "të pahijshme". Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.
 
Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. Që nga nisja e protestave, mediat iraniane kanë raportuar se janë arrestuar rreth 300 persona.