Obama: Është koha për të “kthyer faqen”
Presidenti amerikan, Barack Obama, mbajti fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e vendit, i cili për të ishte i gjashti, ku u përqendrua te ekonomia, duke premtuar politika nga të cilat do të mund të përfitojnë të gjithë amerikanët...

Në një fjalim që ai e përshkroi si më të fokusuar në vlera sesa në politika, Obama deklaroi se Amerika kishte kthyer një “faqe të re” pas recesionit.
Presidenti amerikan tha se do të mbështes klasën e mesme, duke zgjeruar mundësitë për punësim dhe duke ndjekur politika që do t’i vinë në ndihmë kësaj klase. Sipas tij, kongresi duhet të miratojë një ligj për t’i dhënë grave të njëjtat paga me burrat për punë të njëjtë.
“Hija e krizës ka kaluar dhe Shtetet e Bashkuara janë më të forta. Gjatë 5 viteve të fundit, bizneset tona kanë krijuar më shumë se 11 milionë vende të reja pune. Tani është në dorën tonë për të vendosur të ardhmen tonë”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.
Fjalimi i presidentit Obama përfshinte edhe planet për të ndërtuar një ekonomi konkurruese, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke ndihmuar rreth 9 milionë studentë për të ndjekur studimet.
Obama u zotua për të rritur taksat mbi të pasurit nga 23.8% në 28% dhe futjen e tarifave të reja për firmat financiare me asete mbi 50 miliardë dollarë. Obama foli edhe për politikën e jashtme, ku u shprehur se Amerika ka të drejtën për të vepruar në mënyrë të njëanshme në luftën ndaj terroristëve dhe i bëri thirrje kongresit që të miratojë një rezolutë për të autorizuar përdorimin e forcës kundër ISIS-it.
Ai mbrojti vendimin e tij të muajit dhjetor, ku kërkoi normalizimin e marrëdhënieve me Kubën dhe i bëri thirrje kongresit për të hequr embargon mbi 50 vjeçare me këtë shtet. (Valbon Bexheti, TVM2)
