Tel Aviv, theren me thikë 12 persona, kapet autori nga policia

21.01.2015 14:58

12 pasagjerë të një linje autobusi në Tel Aviv janë therur me thikë...

Policia izraelite bën të ditur se autori është palestinez dhe se i njëjti u arratis menjëherë pas ngjarjes, por më vonë u ndalua nga policia. Prej pasagjerëve të plagosur 5 janë në rrezik për jetën.

“Policia izraelite iu përgjigj një akti terrorist në qendër të Tel Avivit në autobusin numër 40. Deri tani kemi 12 të lënduar me thikë , 5 prej të cilëve më rëndë. Terroristi u largua nga vendi i sulmit, por policia arriti ta kapë. Ai është i lënduar në këmbë. Kemi shtuar sigurinë në të gjithë Tel Avivin për t’u siguruar që nuk ka terroristë të tjerë në këtë zonë”- deklaroi zëdhënësi i Policisë izraelite, Mickey Rosenfeld.

Gjithnjë sipas policisë, sulmuesi është një 23 vjeçar palestinez nga Tulkan, me vendbanim në bregun perëndimor. Pas incidentit në qendër të Tel Avivit, forcat e sigurisë kanë kontrolluar gjithë zonën në përndjekje të bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, për sulmin e sotëm akuzon autoritetet palestineze.

“Sulmi në Tel Aviv është rezultati i drejtpërdrejtë i nxitjes së përhapur nga autoritetet palestineze ndaj çifutëve dhe shtetit të tyre. Terrori i njëjtë u përpoq të na dëmtojë në Paris, Bruksel e kudo”- tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Sipas mediave izraelite, Hamasi nga Gaza ka marrë përgjegjësinë ndaj sulmit në Tel Aviv, duke e vlerësuar të njëjtin si heroik dhe kurajoz.

“Ata që nxituan për të lavdëruar këtë sulm janë të hamasit, është i njëjti Hamas që njofton se do të padisë Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë”- u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Mediat izraelite kanë bërë hero shoferin e autobusit që fizikisht është përballur me agresorin, duke i hedhur një sprej në sy e duke shpëtuar kështu shumë prej pasagjerëve. (Fatos Musliu, TVM2)