Maqedoni

Ndërtimi i 2 km të autostradës Shkup-Bllacë, Rustemi: Gati deri në mesin e vitit të ardhshëm

25.09.2022 16:21

Deri në mesin e vitit të ardhshëm planifikohet të lëshohen në përdorim dy kilometrat e para të autostradës Shkup – Bllacë...

Deri në mesin e vitit të ardhshëm planifikohet të lëshohen në përdorim dy kilometrat e para të autostradës Shkup – Bllacë, thotë drejtori i NP “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi në “Intervistën e Javës” në TVM2. Ai u shpreh se për shkak të shembjes së dheut dhe murit mbështetës i cili duhet ndërtuar janë vonuar punimet në teren. Deri në fund të këtij muaji shpallet tenderi i ri në të cilin do të përzgjedhet kompania e cila do të bëjë punimet në fjalë.
 
“Pasi që u bë projektimi për këto momente të reja, që u paraqiten në realizimin e projektit, u bë projekti, u bë revidimi i projektit, tash pasi që kjo pjesë prej 2 km bëhet nga mjetet vetanake të  NP “Rrugët Shtetërore” dhe me vetë faktin se shuma kalon 20% e tenderimit bazë ne jemi të detyruar që të shkojmë edhe me një tender tjetër për zgjidhjen e një realizuesi.”, tha  Ejup Rustemi, drejtor i NP “ Rrugët Shtetërore” të RMV-së.
 
Ndërtimi i 10 km tjera të austradës Shkup-Bllacë, Rustemi: Po finalizohet projekti final
 
Por sa vite nevojiten për të ndërtuar në tërësi 10 kilometrat e tjera të autostradës Shkup - Bllacë në të cilën do të ndërtohen ,gjithësej 11 tunele me gjatësi prej 4.5 kilometrave dhe 6 ura me nga 1.1. km, Rustemi thotë se është shumë e vështirë për të saktësuar kohën.
 
“Kur bëhet fjalë për 10 kilometrishin e dytë duhet të potencojmë se, për momentin projektin bazë i është dorëzuar Fakultetit të Ndërtimtarisë për  në revizion. Ne dje patëm  një takim mes tyre dhe HIL-it projektuesi dhe neve dhe atje u dhanë disa vërejte që duhet të bëjmë përmirësimin e disa vërejtjeve në projektim, posaçerisht në shtyllat e urave dhe pas kësaj  Fakulteti i Ndërtimarisë e  kontrollon edhe njëherë  dhe shpresojmë se deri në fund të nëntorit do ta kemi projektin e reviduar. Pas projektimit të reviduar, kemi gjithashtu projektin infrastrukturor dhe pas kësaj dorëzohet kërkesa për leje për ndërtim, pas marrjes së lejës për ndërtim nga MT fillon procedua për shpronësimin për 10 kilometrat e tjera dhe pasi përfundon shpronësimi, fillon realizimi i punimeve.”, tha Rustemi.
 
Ndëritmi i autostradës Shkup - Bllacë kap vlerën rreth 186.7 milion euro. Rustemi tha se NP “Rrugët Shtetërore” me intenzitet të shtuar po punon edhe në realizimin e Korridorit 8, respektivisht  në përfundimin e aksit rrugor- Kërçovë - Ohër me gjatësi prej 57 kilometrave të cilat do të lidhin vendin me Shqipërinë. Këtu së shpejti do të fillojë asfaltimi final i këtij aksi rrugor dhe pritjet janë që deri në fund të vitit të ardhshëm të lëshohen  në përdorim 57 kilometrat e para të korridorit 8, tha Rustemi.
 
REXHEP QAMILI