Maqedoni

ASH: Valdet Xhaferi zvarrit të vërtetën për Llaskarcën

25.09.2022 15:17

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar BDI-në për zvarritje të epilogut gjyqësorë për tragjedinë e autobusit në Llaskarcë....

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar BDI-në për zvarritje të epilogut gjyqësorë për tragjedinë e autobusit në Llaskarcë, që mori jetën e 16 personave dhe mbi 30 mbetën të lënduar, shumica nga Gostivari.
 
Por siç thonë nga kjo parti "edhe përkundër tentimeve për të zvarritur drejtësinë, një pjesë e të vërtetës po del vetëvetiu në shesh, ndërsa rrethi i atyre që mund të kenë përgjegjësi po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Së fundmi po mësojmë një të vërtetë të madhe dhe shumë të hidhur për banorët e Gostivarit. Sipas një hulumtimi të organizatës "Koalicioni për gjykim të drejtë", rezulton se këtë rast dhe të vërtetën po e zvarrit me vite partia shqiptare në pushtet, BDI, përmes një funksionari të saj që vjen nga qyteti i Gostivarit. Pas ekspertizës së parë që ishte bërë për këtë rast, Gjykata në vend që të jepte verdiktin final, më 11 nëntor 2021 dha urdhër për super ekspertizë. E njëjta u ishte kërkuar fakulteteve të makinerisë dhe teknike në vend dhe që të gjitha për çudi kanë refuzuar duke thënë herë se s'kanë ekspertë e herë se s'kanë çfarë të ofrojnë më shumë se ekspertiza e parë. Në fund lënda përfundon te Byroja për ekspertizë ligjore dhe atje po mbahet tanimë 315 ditë. Për ironi të fatit, drejtor i Byrosë për ekspertizë ligjore është Valdet Xhaferi, Kryetar i degës së BDI-së në Gostivar.", thonë nga Aleanca për Shqiptarët.