PDSH: Ndotja e ajrit alarmuese, askush nuk shqetësohet
Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar sot ndaj ndotjes së ajrit në Tetovë dhe në vendbanimet e tjera shqiptare, duke u ndalur në shqetësimet mediatike të ditëve të fundit për numrin e shtuar të aborteve spontane...

Deputetja e PDSH-së, Merale Ferati, që është edhe mjeke gjinekologe, tha sot se mungon transparenca jo vetëm për numrin e aborteve, por edhe të të sëmurëve të tjerë.
“Janë shqetësuese rastet dhe shifrat alarmante të të sëmurëve nga sëmundjet e ndryshme, përfshirë këtu edhe rritjen e numrit të aborteve jo vetëm në Tetovë, por edhe në vendbanimet e tjera ku jetojnë shqiptarët, për të cilën mungon një analizë e hollësishme dhe transparencë për faktorët që ndikojnë në paraqitjen e këtyre rasteve. Gjendja e spitaleve në vendbanimet shqiptare, në veçanti gjendja e Spitalit "Klinik të Tetovës", i cili përveç emrit s’ka asgjë të përbashkët me klinikat e mirëfillta. Gjendja bëhet ende më dramatike në Tetovë, duke pasur parasysh ndotjen e ajrit nga ana e “Jugohromit”. Nga statistikat zyrtare, ndotja e ajrit është alarmante, ku tejkalohet kufiri i lejuar disa dhjetëra herë”- u shpreh Ferati.
Sipas saj, ndotja e ajrit në këtë nivel shkakton rritjen e dukshme të numrit të të sëmurëve nga sëmundjet e traktit respirator, sëmundjet kancerogjene, kardiovaskulare e kështu me radhë. Ferati bën thirrje që të merren urgjentisht masa për ndërprerjen e, siç thotë ajo, këtij helmimi masiv të shqiptareve në Tetovë dhe rrethinë.
