Maqedoni

Dita botërore e kontraceptimit: Në listën pozitive nuk ka kontraceptiv modern

26.09.2022 15:17

Vetëm 14 përqind e grave që janë në një lidhje ose martesë përdorin kontracepsion që mbron nga shtatzënia e paplanifikuar...

Vetëm 14 përqind e grave që janë në një lidhje ose martesë përdorin kontracepsion që mbron nga shtatzënia e paplanifikuar. Në periudhën 2011-2018, përdorimi i kontracepsionit modern ka rënë në vendin tonë, përfshirë kontracepsionin oral dhe atë spirale, dhe në vitin 2018 vetëm 10 për qind e çifteve kanë përdorur  prezervativ mashkullor, u theksua  në konferencën me temë "Kontracepsioni në listën pozitive!" Pse nuk jemi ende gati?”, organizuar nga HERA, me rastin e Ditës Botërore të Kontracepsionit.
 
“Pavarësisht përpjekjeve prej dekadash të qeverisë, në vend asnjë mjet kontraceptiv nuk është ende në listën pozitive të barnave që mbulohen nga Fondi. Përmes programit të Qeverisë, kontracepsioni oral, spirale apo prezervativë sigurohen vetëm për një numër të kufizuar të grave nga kategoritë e rrezikuara sociale, si dhe për gratë me abort të përsëritur.”, tha Dragana Karovska-Cemerska, Menaxhere e programit në HERA.
 
Sipas mjekes Ana Daneva-Markova, barrierat financiare dhe ekonomike pengojnë qasjen në kontracepsion, veçanërisht për të rinjtë apo personat me të ardhura më të ulëta dhe thotë se është e nevojshme që shteti të sigurojë kontracepsion pa pagesë apo subvencione për kategori të caktuara të qytetarëve.
 
“Kur bëhet fjalë për renditjen e vendit brenda Evropës, nga pesë kategoritë e atlasit në dispozicion, Maqedonia e Veriut është në kategorinë e “dobët”. Qasja në kontracepsion modern e zvogëlon vdekshmërinë e nënave për 25 për qind, dhe vdekshmërinë e të porsalindurve me 20%. Poashtu metoda të caktuara të kontracepsionit, zvogëlojnë incidencën e HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, dhe ndërgjegjësimi dhe përdorimi adekuat i kontracepsionit parandalon shtatzënitë e paplanifikuara.”, tha Ana Daneva-Markova, mjeke.
 
Marija Ristevska, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për hulumtime dhe politikëbërje tha se nëpërmjet përdorimit të metodave të intervistimit të  përfaqësuesve  të deputetëve  në Kuvend, u konstatua se deputetët, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme ideologjike, pajtohen se kontracepsioni është e drejtë e grave dhe burrave dhe ata duhet të kenë qasje në kontraceptivët modernë.
 
“Hulumtimi  tregoi se mes deputetëve meshkuj dhe femra kemi një konsensus që prezervativët të jenë falas dhe të disponueshëm për të gjithë në institucionet shëndetësore. Pilulat duhet të vendosen edhe në listën pozitive të barnave, për të cilat ka konsensus edhe në Kuvend dhe mendojnë se këshillimi nuk duhet të jetë i detyrueshëm, por opsionale  për të gjithë ata që kërkojnë këshilla për planifikim familjar.”, tha Мarija Ristevska, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për hulumtime dhe politikëbërje.
 
Nga shoqata HERA thanë  se Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet që në një kohë sa më të shkurtër t'i qasen realizimit të premtimeve të shumta që kanë bërë si nënshkruese të dokumenteve ndërkombëtare, por edhe detyrave që i kanë vënë vetes në kuadër të strategjive kombëtare, që nënkupton fillimin e procesit të rishikimit të Listës Pozitive të Barnave me qëllim zgjerimin e saj me të paktën një kontraceptiv modern, i cili do të përmirësonte mbulimin universal të kujdesit shëndetësor.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI