Nikollova: Me rritjen e fundit prej 15 %, për 5 vite pagat në arsim rriten për 36 %
Edhe në kohë krize globale ekonomike dhe energjetike....

Edhe në kohë krize globale ekonomike dhe energjetike, Qeveria dhe institucionet e udhëhequra nga LSDM-ja kujdesen për standardin e jetës së të gjithë qytetarëve. Nga ky muaj, paga e rreth 32 mijë e 500 punonjësve në arsimin fillor dhe të mesëm do të marrë një pagë 15 për qind më të lartë.
“Kjo është një rritje mesatare prej rreth 3000 denarë për punonjës. Nga ata 32.500 persona, rreth 25.000 janë mësues. Që nga marrja e pushtetit nga LSDM-ja, pagat në arsim janë rritur për 21 për qind për katër vjet. Me rritjen e fundit, në vetëm pesë vite pagat në këtë sektor janë rritur me 36 për qind, pra një të tretën më shumë se në vitin 2017” – tha Daniella Nikollova nga LSDM.
Miteva: MASH po eksperimeton me arsimin, 530 mijë euro për materiale të përkohshme
Nga VMRO-DPMNE, ndërkohë akuzojnë Ministrinë e Arsimit se ka shpenzuar 530.000 euro për materiale të përkohshme në vend të teksteve të reja për nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë.
Sipas VMRO- DPMNE –së me këtë mbulohet paaftësia e qeverisë për të siguruar tekstet shkollore në kohë dhe krijohet hapësira për përfitime individuale.
“Fëmijët do të mësojnë nga materialet, të cilat qeveria ia doli t'i arnojë para fillimt të vitit shkollor, sepse me vite të tëra nuk kanë ndërmarrë asgjë. Dhe në vend të teksteve të reja, kemi një përmbledhje të materialeve të përkohshme nga tekstet e vitit të kaluar dhe një pjesë të teksteve të reja, për të cilat MASH ka paguar 530 mijë euro” – deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Ndërsa mësuesit, nxënësit dhe prindërit po përpiqen të përballojnë kolapsin total, eksperimentet që janë një alternativë e plotë për tekstin shkollor kushtojnë mijëra euro, thonë nga VMRO- DPMNE. (Flutura Latifi, TVM2)
