Botë

“Atashe sigurie” në çdo vend, përfshirë edhe Ballkanin

21.01.2015 15:41

Të gjitha delegacionet e BE-së në botë do të kenë një “atashe sigurie” për shkëmbimin e informacionit në këtë fushë...

Masat u dakorduan nga 28 ministrat e jashtëm evropianë të mbledhur në Bruksel, nuk lënë mënjanë as Ballkanin, megjithëse ato priten të trajtohen dhe në tryezën e ministrave të brendshëm të BE-së përpara se t’i kalojnë samitit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në mes të shkurtit.

Gjurmët e Ballkanit hasen jo vetëm në gjetjet hetimore pas aktit terrorist në Paris, por dhe në linjën e trafikut të antikuarëve nga Siria drejt Vjenës. Bosnja e Kosova ndajnë rrezikun më të lartë për “luftëtarët e huaja” në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Në fund të janarit parashikohet thirrja ndaj Ballkanit për projekte në fushën e sigurisë, ku një pjesë e fondeve të para-anëtarësimit do të përdoren për rritjen e kapaciteteve në organet ligjzbatuese mbi çështje të sigurisë, kundër terrorizmit, urrejtjes e qëndrimeve radikale.

Komisioni Evropian mbështeti ndërkohë nismën ligjore të disa vendeve anëtare të BE-së për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit për “të dyshuarit xhihadistë” dhe, sipas ekzekutivit evropian, sistemi i informacionit të “Schengen”-it duhet përshtatur me ndryshimet e statusit të pasaportave, në mënyrë që sistemi të lajmërojë kudo në zonën e lirë “Schengen” autoritetet kufitare, policinë, doganat, zyrtarët e drejtësisë dhe vizave, për dikë që supozohet të mos futet në BE, apo që dyshohet se ka kryer krim.

Ministrat e jashtëm të rajonit do të informohen me risitë së shpejti, në një konferencë të posaçme të BE-së.